Nga Skënder Minxhozi/
Në fund të ditës gjithçka është politike, thotë një aksiomë e vjetër. Dhe rruga për miratimin e Reformës në Drejtësi dhe thelbit të saj, Vetingut, ka qenë prej tre vjetësh një betejë e ashpër politike në Shqipëri. Por këto orë, kur shqyrtimi i ndershmërisë së gjyqtarëve e prokurorëve është më pranë se kurrë, Vetingu është kthyer papritur në një çeshtje pagash dhe stafesh teknike. Ajo që kujtohej hallka e fundit dhe më e parëndësishme në këtë histori me emra të shquar, tani ka dalë pengesa kryesore. Madje ka krijuar edhe iluzionin optik qesharak, se PD e LSI janë për shpejtimin e procesit, kurse socialistët për ngadalësimin e tij!
Në raport me esencën e reformës dhe të procesit të Vetingut, ky është një konflikt me bazë artificiale, të cilin opozita po shpejton ta instrumentalizojë për të vënë sadopak në vështirësi shumicën. Rishikimi i anës teknike të procesit, është pjesë fiziologjike e diskutimeve mbi një ndërmarrje të madhe dhe me peshë jo vetëm politike, por edhe financiare e logjistike, për një shtet me burime të kufizuara si Shqipëria.
Nga ana tjetër, kërkesa për më shumë staf dhe paga për personat që do kryejnë Vetingun, duhet të gjente një shtrat të përbashkët kompromisi mes palëve në Kuvend, por edhe më shumë dëshirë e vullnet për të gjetur zgjidhje të kënaqshme për të interesuarit e drejtëpërdrejtë të procesit.
Sepse është me vend të kujtohet se ata që do të drejtojnë gishtin drejt këtij apo atij gjyqtari e prokurori, që nesër mund të procedohen penalisht e të bëhen gjahu i të gjithë opinionit publik, meritojnë të shpërblehen në mënyrë të diferencuar, për një punë tejet delikate e të diferencuar që parashikohet të bëjnë.
Sipas një vendimi të vitit të shkuar, anëtarët e komisioneve të Vetingut do të marrin paga të njëjta me anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese. Pra rreth 3 milion lekë të vjetra në muaj. Nëse për sektorin shtetëror kjo është një pagë absolutisht e lartë dhe unikale në piramidën e shpërblimeve që ofron shteti për nëpunësit e tij, realiteti i një shoqërie ku sundon sipërmarrja private, ofron shpërblime në disa raste shumë më të larta në sektorin privat.
Në këtë optikë, një strukturë ad hoc si Vetingu, do të kërkonte edhe një trajtim të gjashëm. Pra, ad hoc. Sepse mesa duket, paradoksalisht do të duhet të paguajmë jo pak për t’i shkulur nga poltronat ku janë ulur prej vitesh, ata që i majmëm me duart tona për një çerek shekulli. Është ironike, e pakuptimtë, e padrejtë, por… e vërtetë.