Refugjatët sirianë i janë gëzuar lajmit të së dielës se Angela Merkel e ka siguruar mandatin e katërt si kancelare e Gjermanisë, por thonë se janë alarmuar nga ngritja e partisë së të djathtës ekstreme AfD, që i bën ata të frikësohen se do ta detyrojnë atë t’i shtrëngojë rregullat e azilit.
“Jemi lumtur që Merkel të fitojë”, ka thënë Fatima al-Haidar, një nënë e dy fëmijëve nga Damasku. “Allahu iu përgjigj lutjeve tona. Për ne ajo paraqet urtësi dhe humanizëm”, raporton Reuters.Ndonëse blloku konservator i Merkelit fitoi më së shumti ulëse në parlament, rezultati ishte më i dobëti që nga viti 1949 pasi që votuesit u rreshtuan kah partitë më të vogla.
Konservatorët humbën vota nga partia anti-migrantë Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila hyri në parlament për herë të parë si partia e tretë më e madhe, e të cilët përfituan nga zemërimi ndaj vendimit të Merkelit për të mirëpritur mbi 1.3 milionë refugjatë.
“Merkeli e vuri karrierën e saj në rrezik për të na ndihmuar”, thotë Aymani, bashkëshorti 55 vjeçar i Haidarit.
“Ne dëshirojmë ta mësojmë gjermanishten dhe të kontribuojmë në suksesin e këtij vendi përmes punës, thjesht për të treguar se ajo kishte të drejtë dhe kundërshtarët e saj e kishin gabim”.Fatima dhe Ayman mësuan rezultatet e zgjedhjeve nga djali i tyre 14 vjeç, Zayd, i cili lajmin e mori nga transmetuesi publik ZDF në telefonin e tij mobil, transmeton Koha.net.
“Kur Zayd na tregoi se Merkeli kishte fituar, ne bëmë ‘zalgutan’”, ka thënë Roula Mohammad, duke iu referuar një dredhjeje të gjuhës që gratë arabe e bëjnë gjatë dasmave. “Na duhet një grua e mençur siç është ajo edhe në Siri për t’i dhënë fund luftës”.
Megjithatë, refugjatët frikësohen se ngritja në 13 për qind e AfD-së mund të çojë në rregulla më të ashpra për migrim nën qeverinë e re të udhëhequr nga Merkel.
“Ajo ka humbur popullaritet për shkakun tonë”, ka thënë Nabil Zainaldin, 32 vjeç, nga Aleppo. “E kuptojmë totalisht pse gjermanët janë të brengosur. Krejt çka mund të bëjmë për t’i siguruar ata është të jemi qytetarë zbatues të ligjit. Por edhe jemi të brengosur: cila do të jetë politika e azilit e qeverisë së re?”, përgatiti Koha. (b.an)