“Kam qenë në gjendje të pirë dhe nuk e mbaj mend çfarë ka ndodhur”. Kjo është deklarata e Bujar Kuçit, 62 vjeçari i cili qëlloi për vdekje me thikë nipin e tij. Në dëshminë e tij në policinë e Shkodrës autori i ngjarjes së rëndë ka thënë se nuk e di se çfarë ka ndodhur për shkak se ka qenë nën efektin e alkoolit.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur sepse isha i alkoolizuar, di vetëm që kemi debatuar dhe s’mbaj mend nga rrëmuja që është bërë në kuzhinë”.
Vetëm kaq ka deklaruar Bujar Kuçi në dëshminë e tij tek krimet e rënda në drejtorinë vendore të policisë së Shkodrës. Përveç pretendimeve dhe debateve për makinën që viktima e parkonte në oborrin e përbashkët që kishin dy familjet mësohet se xhaxhai i ka thënë nipit të tij edhe për jashtëqitjen e qenit.
62 vjeçari i është drejtuar duke i thënë se përse qeni jot vjen në pjesën time duke qenë se dy familjet jetojnë në një oborr të përbashkët pa mur ndarës por në dy shtëpia të ndryshme.
Kaq është dashur që viktima Mirsad Kuçi të shkojë për tu sqaruar tek banesa e xhaxhait të tij. Në debat e sipër në mënyrë të papritur xhaxhai ka marrë thikën dhe e ka goditur tre herë, në këmbë, në bark dhe goditja fatale ka qenë në krahun e zemrës duke i prekur arteriet.
Në pak sekonda Mirsad Kuçi ka bërë tentativë të dalë nga guzhina por ka ecur vetëm pak metra dhe ka ndërruar jetë. Menjëherë policia ka arrestuar autorin e ngjarjes Bujar Kuçi i cili nën efektin e alkoolit deklaron se nuk e mban mend çfarë ka ndodhur.
Edhe para 4 viteve Bujar Kuçi ka tentuar të vrasë nipin e tij me një çifte për debate të tilla por atëherë 33 vjeçari Mirsad Kuçi shpëtoi për mrekulli sepse xhaxhai nuk dinte të përdorte çiften. Pas 4 vitesh arriti që ti marrë jetën për një debat banal./panorama
a.ç