Ministri i Bujqësisë, Niko Peleshi ka shfrytëzuar vizitën në një stabiliment mishi në qytetin e Lushnjes për të paralajmëruar aksionin e parë në kuadër të përmirësimit të standardeve të sigurisë ushqimore në vend.
Kjo nismë pritet të ketë ndërhyrje në 4 hallkat e ciklit të mishit dhe nënprodukteve të tij, duke filluar me kontrollin e thertoreve të licensuara ose jo, të cilat jo në të gjitha rastet i plotësojnë standardet. Më pas do të ndërhyhet me rregullimin e tregjeve të kafshëve të gjalla, transportin e tyre duke përfunduar me pikat e tregtimit të mishit dhe nënprodukteve të tij.
Peleshi gjithashtu deklaroi se nuk do të ketë më therje jashtë thertoreve dhe se do të mbyllen të gjitha pikat e therjes që nuk plotësojnë standardet, pa lënë mënjanë përgjegjësinë e çdo autorizimi të lëshuar nga Drejtoritë e AKU-së në të gjithë vendin.
“Mbas auditimit, padyshim që Drejtoritë e AKU-së që kanë dhënë autorizimin, duhet të mbrojnë autorizimin për çdo pikë therjeje. Pikat e therjes që nuk janë të standardit, pra që nuk kënaqin standardin do të mbyllen. Po i paralajmëroj që tani edhe inspektorët edhe operatorët që nuk do të ketë më pika therje jashtë standardit”, u shpreh ai.
Kjo nismë, vuri në dukje ministri Peleshi, është e rëndësishme së pari për të garantuar sigurinë e ushqimit për konsumatorin vendas, por është edhe një hap i rëndësishëm drejt hapjes së tregut të produkteve shtazore me vendet e Bashkimit Europian.
“Siguria ushqimore është një domodoshmëri për jetën e njerëzve, por edhe për eksportin e produkteve shtazore, i cili nuk është i mundur pa ngritjen e një sistemi sigurie të çertifikueshëm nga Bashkimi Europian, që për fat të keq ende pas 25 vitesh nuk e kemi ngritur”, deklaroi Peleshi. /b.d