Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, zhvilloi sot një takim me Komisionerin Evropian për Politikën e fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn. Ky takim ishte pjesë e axhendës së takimeve në New York të ministrit Bushati, në kuadër të punimeve të Sesionit të 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Ministri Bushati mori pjesë në një mëngjes pune të Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Komisionerin Evropian për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal.
Fokusi i këtij takimi ishte diskutimi mbi zbatimin e angazhimeve të marra në Samitin e Triestes, në mënyrë të veçantë Planin e Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe diskutimeve në takimin vijues të organizuar nga Kryeministri Rama me kryeminstrat e rajonit në muajin gusht në Durrës.
Ministri Bushati vlerësoi rolin dhe angazhimin e Komisionerit Hahn për të jetësuar Zonën Ekonomike Rajonale, të cilën, theksoi ai, ne e shohim si një rrugë lehtësuese të projektit tonë evropian. Ajo nuk mund të jetë projekt alternativ e për më pak zëvendësues.
Bushati vlerësoi raportin mbi gjendjen e Unionit të Presidentit Junker dhe vuri theksin në perspektivën e qartë të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Duke folur për strukturimin e bashkëpunimit rajonal, i cili është zgjeruar ndjeshëm në vitet e fundit, Bushati theksoi rëndësinë e një shpërndarjeje të drejtë dhe të ndershme të selive të organizatave rajonale në të gjitha vendet. Ai theksoi gjithashtu nevojën e një kalendarizimi të aktiviteteve në kuadër të bashkëpunimit të Ballkanit Perëndimor, në të gjitha nivelet.
a.ç