OSHEE shpenzoi mbi 70 milionë euro për të siguruar furnizimin me energji elektrike për qytetarët, gjatë periudhës së thatësirës ekstreme të muajve qershor shtator. Por Adrian Çela, i rikthyer tashmë në postin e administratorit të OSHEE-së, thotë se kjo nuk do t’i rrezikojë investimet të cilat do të vazhdojnë sipas planit.
“OSHEE do të vazhdojë investimet pa hasur asnjë pengesë sepse performanca e mirë e kompanisë e lejon që mos t’i ndërpresim këto investime”, u shpreh Adrian Çela, administrator i OSHEE.
Çela thotë se me shtimin e numrit të turistëve, prioritet do të kenë zonat bregdetare nga veriu në jug.
“Vlen të përmendet investimi në jug, Qeparo e Palasë, tuneli uji ftohtë deri në Orikum, 2 nënstacione në Himarë dhe Orikum dhe Velipoja që kishte mbetur mbrapa. Dhe një gjë, Gjiri i Lalzit fillon investimi në nënstacionin e ri dhe më pas në rrjeti 20 kilovolt”, tha Çela.
Kreu i OSHEE-së bën publike shifrat e arkëtimeve për 8 mujorin, që janë rritur në 42.6 miliardë lekë. Ndërsa niveli i humbjeve ra 27.5 %, ndonëse me një ritëm më të ulët krahasuar me vitet e tjera.
“Kur filloi reforma humbjet ishin 40 % dhe niveli i abuzimit sheshit, aq sa hapat e parë të rikuperimit ishin të ndjeshme. Tani rikuperimi nuk është aq i madh sepse nuk ka aq shumë abuzim. Tani niveli i abuzimeve kërkon investime që sjellin efekt jo vetëm në humbje joteknike, por edhe teknike dhe kompania duhet të investojë 350 mln euro në vit që të kapë targetin prej 5 përqind në 5 vjet”, u shpreh administrator i OSHEE.
ma.me