Policia e Lezhës ka vene ne pranga Gentian Markun, si i lidhur me konfliktin me arme që ndodhi ditën e zgjedhjeve në Shëngjin të Lezhës.“Me datë 19.09.2017, nga efektivët e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas një punë të mirorganizuar profesionale, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e shtetasit – Gentjan Marku ( Sakica), 26 vjeç, banues në Lezhë”, ben te ditur policia.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, me vendimin Nr. 175 datë 28.06.2017, ka vendosur masën e sigurisë ” Arrest me burg” për veprat penale “Kanosje apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e lehtë me dashje” kryer në bashkëpunim.
NGJARJA SIPAS POLICISË
Ky shtetas, më datë 25.06.2017( ditën e zgjedhjeve) në Shëngjin, në bashkëpunim me shtetas të tjerë të proçeduar penalisht, është përfshirë në një konflikt fizik që fillimisht ka filluar verbal e më pas ka agravuar fizik e me mjete të forta mes tyre, ku njëri prej personave të përfshirë ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Si pasojë e atij konflikti ka mbetur i dëmtuar lehtë shtetasi F.D..
Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme.
NJOFTIMI I POLICISE DITEN E NGJARJES:
Rreth orës 10:15, është marrë njoftim se në Shëngjin- Lezhë, përpara ambienteve të restorant “Detari” ka pasur një konflikt midis disa personave dhe se është qëlluar me armë zjarri.
Me të marrë njoftimin, është formuar grupi hetimor, është shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, dhe nën drejtimin e Task Forces pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, janë kryer të gjitha veprimet hetimore e proçeduriale për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani, ka rezultuar se ka qenë një konflikt midis dy grupesh personash,i cili fillimisht ka nisur si debat verbal e më pas ka agravuar në konflikt fizik e me mjete të forta mes tyre, si dhe njëri prej personave të përfshirë, ka qëlluar me armë zjarri në ajër.
Si pasojë e këtij konflikti ka mbetur i dëmtuar lehtë në kokë shtetasi Flroian Dushku, 28 vjeç, banues në Shëngjin – Lezhë.
Nga kryerja e veprimeve hetimore e proçeduriale, është bërë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje…
– Gentian Marku, 25 vjeç, banues në Lezhë
– Samuel Ndoka, 19 vjeç, banues në Lezhë
– Danjan Ndoka, 20 vjeç , banues në Lezhë
Po kështu në vijim të veprimeve të kryera për këtë ngjarje , është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
– Aleksandër Ujka, 54 vjeç, banues në Shëngjin – Lezhë.
Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi u bë për veprën penale të parashikuar nga neni 301 i Kodit Penal “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës” pasi nga analizimi i pamjeve filmike të sekuestruara në restorantin në pronësi të këtij shtetasi , janë vërejtur ndërhyrje dhe fshirje të pamjeve filmike të regjistruara në intervalin kohor kur ka ndodhur ngjarja.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një gëzhojë arme zjarri, një automjet i tipit “Benz” si dhe dy shkopinj prej druri.
Janë marrë, administruar dhe po analizohen, pamjet filmike të kamera të sigurisë të vendosura nga subjekte të ndryshme tregtare, të cilat mendohen se kanë filmuar ngjarjen e ndodhur.
DEKLARATA E METES PER NGJARJEN:
“Nuk dua të kthehem në rastet e të kaluarës, sepse ky është rast i përsëritur, por sot në ditën e zgjedhjeve në festën e demokracisë, këta banditë me armë secili, Samuel Ndoka, i dënuar dhe në kërkim sipas informacionit tim, Don Ndoka i kërkuar dhe në kërkim, dhe Gentian Marku (Cakica) sot në Shëngjin kanë sulmuar me armë, kanë qëlluar dy herë dhe jo një herë siç thotë policia e drogës, drejt aktivistit të LSI-së z. Florian Dushku dhe e kanë goditur edhe me pistoletë në kokë.
Kjo ngjarje ka ndodhur vetëm 70-80 metra larg qendrës së votimit në Shëngjin, që është një qendër e rëndësishme dhe ka ndodhur në mes të ditës dhe në një ditë plot me diell dhe ku ka pasur edhe mjaft dëshmitarë”.
ma.me