Pasi u mposht në javën e parë nga Skënderbeu, Flamurtari ka reaguar në javën e dytë duke marrë 3 pikët në ndeshjen ndaj Lushnjes. Flamurtari e nisi shumë keq këtë takim, pasi në minutën e 24 mbeti me 10 lojtarë, teksa Ditmar Bicaj u ndëshkua me kartonin e kuq për ofendim ndaj gjyqtarit. Në minutën e 31 Lushnja kalon në avantazh me Gavën.
Por pavarësisht se mbeti me një lojtar më pak dhe në disavantazh, Flamurtari gjeti forca dhe brenda pjesës së parë arriti të kthejë rezultatin, me dyshen Alvesh-Bushic, të cilët realizuan nga një gol, ndërsa asistuan për njëri-tjetrin.
Ndërsa Lushnja tentonte të barazonte rezultatin në pjesën e dytë, Flamurtari vulosi fitoren me një gol të Mustës në minutën e 71. Tre pikë mjaft të rëndësishme këto për Flamurtarin, ndërsa Lushnja mbetet në kuotën e 0 pikëve pas dy ndeshjeve të para në Kategorinë Superiore. Ndeshjet e tjera të javës së dytë do të zhvillohen ditën e nesërme dhe të hënën.