Nga Ben Andoni
Kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha po fillon të shijojë plotësisht frytet e asaj, që kinse nuk është zbardhur nga marrëveshja e 18 Majit. Faktorizimi i tij tashmë po ndihmohet hapur nga kryeministri i vendit, Edi Rama, që i dha një aleat të madh Bashës, me zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të parlamentit. Në seancat e Kuvendit tashmë nuk ligjëron më zëri i kryetarit honoris të PD-së Sali Berisha, por thjesht zëri i kryetarit aktual, Lulëzim Basha, që nga ana e tij kurrë nuk merr feedback tallës nga kryeministri i vendit.
Mungesa e transparencës, që zoti Berisha e kultivoi, përgjatë të gjithë drejtimit të tij tashmë ndiqet nga benjamini i tij, që përtej atij kinse nderimi, duket se po e sfumon pak e nga pak imazhin e ish-kryeministrit. Edhe pse lista e deputetëve të PD-së është bërë dhe me dijeninë e Berishës, por krejtësisht nën propozimet e Bashës, përbërja jo thjesht e tregon të mënjanuar Berishën, por me zërin e mangët. Reagimi i kësaj liste kur Berisha nuk u lejua në parlament të fliste tej kohës ishte thjesht i vakët dhe një tregues i këtij argumenti.
Por historia zbret më larg e shkon në kohën e zgjedhjes së parë si kryetar të Lulzim Bashës përballë të ndjerit Sokol Olldashi, kur vendosi fjala e Berishës për modalitetit e zgjedhjes. Shmangja nga statusi edhe një herë tjetër më 2017 i dha të drejtën Bashës, tashmë në postin e kryetarit, që duke përdorur alibinë e vjedhjes së votave nga socialistët, t’i shmangte për herë të dytë forumet. Toni i lartë i Berishës për listat dhe përbërjen e PD-së në ditët e fundit nuk është asgjë më tepër sesa pësimi ndaj atyre gjërave që ka bërë vetë më parë.
Ndaj duket se kryetari ka vendosur të bëjë atë për të cilën është mjeshtër: t’i japë ushqim krizës, e cila tani duket më e afërt për shkak të problemeve të brendshme në PD. Ngritja e zërit ndaj të rinjve, që ende se kanë provuar veten, kritikat e pamëshira ndaj grupit të këshilltarëve të rinj të Bashës, është një shpallje lufte për ata që duan të dalin nga diktati i hijes së tij dhe që për fatin e tij të keq nuk i tremben më aq shumë.
Gjithsesi, sërish nën mësimin e tij Lulëzim Basha duket se e ka zgjidhur edhe këtë situatë, teksa po e zbut kundërshtinë dhe po e shpërndan vëmendjen e rradhës me investimin në Reformën Zgjedhore, një punë e madhe, që i angazhon të gjitha palët, por që i jep një kredo plus për ta afruar me LSI në opozitën kundër PS-së.
Ndërkohë Sali Berishës duket se i ka dalë situata jashtë kontrolli edhe për një element tjetër, që e sheh qoftë nga gjuha e trupit por edhe se inatet dhe pakënaqësitë e kundërshtarëve ndaj Bashës e kanë dominuar krejt autoritetin e tij. Madje e kanë sfumuar, sepse tek e fundit Basha është produkti i tij. Tek e fundit, vetë Basha e ka dëmtuar sërish dhe i ka sjellë një bjerrje të vetë personalitetit të Berishës me njerëzit që ka afruar. Ligjërimet e para në parlament e kanë treguar më së miri këtë fakt.
Marrëveshja e 18 majit nga ana tjetër është edhe një kujtesë për Berishën për atë që bëri në 2008, kur vërtetë Basha nuk ishte protagonist, por që nga ajo ka mësuar bashkë me shumë lidera partish, që po e vuajnë paq atë që rrodhi prej saj. Referuar realitetit politik, që rrodhi nga ajo datë, tashmë s’kemi demokraci në politikë sesa vendime të kryetarëve. Shqipëria vuan ende atë që Berisha dhe Rama zhvilluan më 2008, ashtu si këtej e tutje elektorati i djathtë dhe më pak i majtë do të kenë pasojat e asaj që Rama vendosi me Bashën, ku duket gjithnjë e më shumë se një pikë kryesore dhe e pa negociueshme ka qenë për faktorizimin e z.Basha, nën kurrizin e liderit historik të PD-së.
Të paktën zgjedhja që bëri në parlament Rama me Ruçin e tregoi qartë se të paktën në fushën legjislative i ka dhënë mundësi Bashës të shkëlqejë dhe të shfaqë të gjithë zotësitë, që përsosi në ligjërimin butaforik kilometrik në Çadër, përkundrejt Berishës, që është i detyruar tashmë ta dëgjojë i pabëzajtur në parlament nxënësin e vet. Berisha po e pëson pikërisht nga ai që mendonte se do t’ia lehtësonte udhën e mbretërimit ta pafundëm. (Javanews)