Të hënën, Partia Demokratike do t’i kërkojë Parlamentit ngritjen e komisionit “ad hoc” për reformën zgjedhore.
Selia blu njoftoi se në fokus të kësaj reforme do të jenë dy pika, siç Partia Demorkatike ka pretenduar edhe më parë: problemi i shitblerjes së votës dhe votimi elektronik. Kjo është një nga pikat e marrëveshjes së 18 majit mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, për të cilën u ra dakord që do të niste puna në fillim të legjislaturës së re të Parlamentit.
Çështjen që demokratët e cilësojnë shumë të rëndësishme e diskutuan këtë të premte në mbledhjen e kryesisë së grupit parlamentar. Por, kjo lëvizje e demokratëve vjen vetëm disa ditë pasi kryetari Lulzim Basha deklaroi në Parlament se marrëveshja e 18 majit u varros pas zgjedhjeve të 25 qershorit dhe zgjedhjes së Gramoz Ruçit si kryetar Parlamenti.
Në dokumentin që solli tejkalimin e krizës politike në vend, në sajë të të cilit në Shqipëri u mbajtën zgjedhjet më të qeta në këto 27 vite, palët janë angazhuar për bashkëpunim për reformat kyçe, ndër të cilat listohet reforma kushtetuese, dekriminalizimi dhe reforma zgjedhore, pjesë e të cilës është edhe votimi elektronik, për të cilin do të diskutohet mundësia e aplikimit në zgjedhjet lokale të vitit 2019.
Po ashtu, Rama dhe Basha u angazhuan në atë marrëveshje për të mbajtur një qëndrim për çështjet me interes kombëtar.
a.ç