Parku Qendror i Tiranës, është parku më i ri urban që do të ndërtohet në aksin e zgjerimit të bulevardit kryesor me drejtim veri, pjesë e një investimi madhor.
Projekti parashikon krijimin e hapësirave të gjelbra në të dy anët e Lumit të Tiranës, i cili do të sistemohet përmes argjinaturave mbrojtëse, që do të shmangë edhe përmbytjet.
Përgjatë lumit do të ndërtohet pedonale për qytetarët, si dhe korsi të veçanta për të gjithë ata që duan të përdorin biçikleta. Gjithashtu, do të ketë hapësira të posaçme ku qytetarë të mund të kalojnë kohën e tyre me aktivitete të ndryshme social-kulturore.
Falë edhe ndriçimit miqësor, Parku Qendror do të mund të shfrytëzohet edhe gjatë mbrëmjes nga të gjithë ata që do të duan të shëtisin e të shijojnë gjelbërimin që është konturuar në formë lulishtesh.
Krijimi i parqeve në të dyja anët e lumit, si edhe i hapësira të tjera çlodhëse, pritet që ta kthejë këtë zonë në një pikë reference për jetën e përditshme urbane të fëmijëve, të të rriturve dhe të moshuarve.
Pas sheshit “Skënderbej “dhe pas Parkut të Liqenit të Tiranës, atij të Farkës dhe të Kasharit, Parku Qendror do të jetë një nga pjesët më kreative të qytetit, i ngjashëm me parqet më moderne në vendet më të zhvilluara.
Që nga marrja e detyrës nga Veliaj, Bashkia e Tiranës ka nisur një sërë projektesh për shtimin e hapësirave të gjelbra në kryeqytet, ku më ambiciozi është ai për kurorën e gjelbër të qytetit që parashikon mbjelljen e 2 milionë pemëve të reja.
a.ç