Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi dhe disa deputetë nga Partia Demokratike, priten të jenë pjesë e një tjetër grupi parlamentar që do të krijohet krahas grupit të PD-së në parlament.
Burime pranë aleatëve të Bashës pohojnë për Panorama, se kreu i selisë blu ka dhënë dakordësinë për krijimin e një grupi të ri parlamentar, i cili do të drejtohet nga kreu i PR-së, Mediu.
Dakordësinë për këtë grup të ri parlamentar e ka dhënë edhe kreu i LZHKsë, Dashamir Shehi.
Shehi ka theksuar se në Kuvend pritet të krijohet një grup i qendrës së djathtë.
“Duam të bëjmë një grup të qendrës së djathtë. Patjetër që do të ketë deputetë të PDsë, që do të jenë pjesë e këtij grupi parlamentar. Partitë që janë aleate, të kenë një çadër të vetën politike, siç ka qenë tradicionalisht”, sqaron Shehi.
Por mësohet se ka pasur një mungesë koordinimi brenda kampit opozitar, pasi kreu i PDK-së, Ndoka, ka kërkuar të ketë një grup të tijin parlamentar dhe të mos jetë pjesë e një grupimi të drejtuar nga kreu i PR-së, Fatmir Mediu.
Ditët e fundit, aleatët opozitarë u vendosën nën akuzë edhe nga zëra brenda Partisë Demokratike për shkak të rrjedhjes së votave për kreun e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Të paktën njëri prej tyre, Nard Ndoka, deklaroi votën kundër.