Drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, sot ka thënë se “kurrë nuk do t’ia kthejmë shpinën popullit tonë në Kosovë dhe e kuptojmë se sa vështirë do ta ketë Lista Srpska të luftojë për interesat serbe duke u përballur me njerëz nga fletë arrestet”, transmeton Koha.net. “Haradinaj dhe shumë bashkëpunëtorë të tij për ne mbeten në listën e fletë arrestit dhe këtu nuk do të ndryshojë asgjë”, citon “Veçerenjenovosti” të ketë thënë Gjuriq.
I ngarkuari politik i Serbisë për Kosovën ka folur edhe për ata që në Serbi quhen “serbë të ndershëm”, përkatësisht “serbë të Thaçit”.Lidhur me këtë, ai ka thënë se një ndjekje e tillë është nisur nga ata që nuk brengosen as për krahinën jugore dhe as për fatin e serbëve që jetojnë atje.
“Le të shkojnë të gjithë ata patriotë të vetëshpallur nga Terazia për të jetuar në Kosovë, ose të paktën le të shkojnë atje si turistë para se t’i gjykojnë bashkëkombësit tanë për atë që ata bëjnë për mbrojtje dhe mbetje të serbëve e të Serbisë në Kosovë ”, ka thënë Gjuriq. (b.an)