Pak kohë para se të testonte me sukses bombën bërthamore, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka kërcënuar të sulmojë territorin amerikan të Guamit.
Po cili do të ishte reagimi i NATO-s në një rast të tillë? Sipas nenit 5-të të Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO), të gjithë shtetet anëtare të aleancës më të fuqishme në botë, mes të cilëve edhe Shqipëria, duhet të kundërpërgjigjen në grup dhe të mbrojnë shtetin e sulmuar.
Por sipas “BBC”, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg refuzoi të thoshte nëse NATO do të futej në luftë pas një sulmi të mundshëm të Koresë së Veriut ndaj territorit amerikan të Guamit.
Guam është një ishull amerikan në Oqeanin Paqësor, bazë e rëndësishme ushtarake që është kërcuar nga lideri komunist i Koresë së Veriut.
“Unë nuk do të spekuloj lidhur me vënin në zbatim apo jo të Nenit 5 në një rast të tillë”, tha Stoltenberg. “Ajo që do të them është se ne jemi plotësisht të fokusuar mbi mënyrën se si mund të kontribuojmë për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe të ushtrojmë presion që Koreja e Veriut të ndalojë programin e saj bërthamor dhe raketor.”
Ai i bëri thirrje Koresë së Veriut të ndalojë zhvillimin e armëve bërthamore duke theksuar se ishte në shkelje me rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe “kërcënim për paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar”.
Stoltenberg vuri theksin tek nevoja e një përgjigjeje globale kundër kërcënimit të Koresë së Veriut. “Programi bërthamor i Koresë së Veriut është një kërcënim global dhe kërkon përgjigje globale. Kjo sigurisht përfshin edhe NATO-n”, tha ai në një prononcim për “BBC”.
Sipas “BBC”, analistët mendojnë se një konflikt ushtarak me Korenë e Veriut do të ishte katastrofik si për Penianin ashtu edhe për Korenë e Jugut.
a.ç