Një oficer i policisë britanike, një tjetër i asaj franceze dhe një polic italian kanë mbërritur prej disa ditësh në Shqipëri, ku po monitorojnë masat e mara nga autoritetet shqiptare për frenimin e azilkërkuesve.
Në bashkëpunim me policinë shqiptare të kufirit dhe migracionit, oficerët e huaj monitorojnë hyrje-daljet dhe shkëmbejnë informacione me homologët mbi personat që dyshohet se lënë territorin shqiptar me qëllim kërkimin e azilit në zonën Schengen.
Kryesisht, 3 oficerët e policive partnere monitorojnë lëvizjet në aeroportin e Rinasit, ku dhe fluksi i lëvizjeve është më i lartë, ndërkohë që mbahet kontakt i vazhdueshëm edhe me zyrën e misionit Frontex që operon në Shqipëri, shkruan TCH.
Kohët e fundit policia ka vënë re se shumë persona po përdorin edhe dokumenta, letërnjoftime apo viza të falsifikuara për të dalë jështë territorit.
I tillë ishte rasti i një të riu, i cili kishte siguruar një letërnjoftim rumun të falsifikuar, madje edhe një kartë krediti po të rreme. Vetëm gjatë gushtit, policia ka refuzuar daljen nga vendi të 177 shtetasve, të cilët nuk plotësonin kriteret e vendosura për të kaluar kufirin.
Po ashtu, policia ka ngritur edhe bazën e të dhënave të fenomenit të gjakmarrjes, e cila do të shërbejë për të informuar partnerët mbi shtetasit që abuzojnë me këtë motivacion për të kërkuar azil.
a.ç