Një nga investimet më të rëndësishme në Njësinë 5 është dhe zgjerimi i rrugës “Medar Shtylla” si dhe ndërtimi i rrethrrotullimit, i cili do t’i japë zgjidhje problemit të trafikut të kësaj nyje tepër të rëndësishme jo vetëm për zonën, por dhe për të gjithë kryeqytetin.
Puna për jetëzimin e këtij projekti ka nisur, ku mjetet e rënda të Bashkisë së Tiranës po lirojnë hapësirat e nevojshme nga objektet të cilat pengonin zhvillimin e projektit të transformimit të gjithë zonës së Komunës së Parisit.
Në këtë zonë, Bashkia e Tiranës ka ndërhyrë duke rikonstruktuar 7 segmente rrugore që shtrihen dhe kufizohen me Rr. “Sulejman Delvina” – ”Medar Shtylla” – ”Skënder Luarasi” – “Grigor Heba” – “Gjik Kuqali”, përfshirë edhe ndërtimin e infrastrukturës nëntokësore, ndriçimin, sinjalistikën dhe gjelbërimin.
Zona e Komunës së Parisit është përfituese direkt edhe nga hapja e Unazës së Madhe, një nga projektet më të rëndësishme të transformimit të Tiranës./a.m.
/a.m.