Në Komisariatin e Policisë së Cërrikut është paraqitur nëna e një vajze 10 vjeçe, e cila me lot në sy ka dëshmuar se vogëlushja ishte përdhunuar nga 23-vjeçari Emiljan Xhika. Në dëshminë e saj para oficerëve të policisë, nëna është shprehur se ka mësuar për ngjarjen e rëndë vetëm tani, pasi vajza fillimisht e ka mbajtur të fshehtë atë që i kishte ndodhur.
Vetë vajza 10 vjeçe në prani të një psikologeje, ka treguar se më 17 gusht, fqinji i saj e kishte marrë në makinë duke e mashtruar. Ndërsa ecte në rrugët e fshatit Banjë, Emiljan Xhika i është afruar vajzës dhe e ka ftuar për t’i bërë xhiro me makinë.
E mitura ka pranuar pa e ditur se qëllimi i 23- vjeçarit ishte të kryente marrëdhënie seksuale me të. Pas denoncimit, Policia bën me dije se Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Cërrik bënë ndalimin e shtetasit Emiljan Xhika, 23 vjeç, banues në fshatin Shtëpanjë.
Sipas Policisë, ai u ndalua pasi më datë 17.08.2017, në fshatin Banjë, në mjetin e tij dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase të mitur. Xhika u ndalua në orët e vona të një nate më parë në banesën e tij, pasi ai akuzohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të miturën, që s’i ka mbushur ende 10 vjeç.
Policia ka marrë në pyetje edhe të miturën, e cila e ka pranuar që ka kryer marrëdhënie seksuale me 23- vjeçarin, por ende nuk është konfirmuar se ai ka kryer marrëdhënie me dhunë apo nëpërmjet mashtrimit.
Sipas Policisë, vajza ka treguar në Polici se ai e ka parë në lagje dhe e ka ftuar për të bërë një xhiro me makinë, dhe më pas dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me të. Nga ana e tij, 23-vjeçari, pasi është njohur me akuzën, nuk e ka pranuar një fakt të tillë, duke e mohuar atë.
Ndërkohë, pas marrjes në pyetje, ndaj vajzës po kryhen analizat mjekoligjore për të parë nëse ajo ka kryer marrëdhënie seksuale dhe më pas nëse ka pasur përdhunim apo jo.
Deri në përfundim të analizave, 23- vjeçari do të qëndrojë në paraburgim, ndërkohë materialet në ngarkim të tij i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur” , shkruan “Panorama”.
ma.me