Gruaja spanjolle që besonte se Salvador Dali ishte i ati nuk është e bija e artistit surrealist. Kështu ka treguar testi i ADN-së, për realizimin e të cilit piktori u zhvarros në qershor të këtij viti.
Maria Pilar Abel Martinez, një lexuese kartash fati e lindur në vitin 1956, thotë se e ëma kishte pasur një lidhje me Dali një vit para se ajo të lindte.Por tani Fondacioni Dali thotë se testi i kryer ka provuar përfundimisht se vajza dhe artisti nuk kanë lidhje.
“Testi i ADN-së tregon se Pilar Aben nuk është vajza e Dali”, ka deklaruar fondacioni, që menaxhon pasuritë e lëna nga piktori.
Publikimi i rezultatit të analilzës vjen 6 javë nga zhvarrimi që iu bë trupit të artistit nga një dhomë e nëndheshme e muzeut që i dedikohet jetës dhe veprës së tij, në veri-lindje të Spanjës.Nëse do të kishte rezultuar e lidhur, zonja Martinez do të mund të kishte shtënë në dorë një pjesë të pasurisë së Dali, të cilën ai ia la shtetit spanjoll pas vdekjes në vitin 1989, në moshën 85-vjeçare, përcjell TCh.
Një numër i madh njohësish të historisë së Dali kishin shprehur habinë e tyre ndaj deklaratës së gruas.
Biografi i tij, Ian Gibson citoi piktorin që thoshte: “Jam impotent. Duhet të jesh impotent që të bëhesh një piktor i madh”. “Nuk dihet se si zonjës i është thënë kur ka qenë e vogël se ka qenë vajza e piktorit”, tha ai për mediat. (b.an)