Shqipëria gjatë viteve të fundit po njeh rritje të aktivitetit turistik ku çdo vit e më shumë, po rritet volumi i hyrjes së turistëve të huaj. Nëse gjatë muajve të verës vihet re boshatisje e qyteteve, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për akset rrugore të rëndësishme kombëtare, kryesisht ato që përshkojnë apo kanë si destinacion zonat turistike shkruan JavaNews. Nëse në ekonomi rritja e turizmit po sjell rritje të ardhurash për bizneset por edhe shtetin, ky zhvillim ka edhe anën negative.
Muajt e verës përbëjne dhe periudhën kur numri i aksidenteve me pasoja të rënda rritet ndjeshëm. Në disa episode, në aksidente janë përfshirë edhe turistë të huaj, ku ka pasur edhe raste fatale, si ai i adoleshentes ruse në Ksamil e cila u përplas nga një skaf që i shkaktoi vdekjen.
Edhe pse tendenca e numrit të aksidenteve me pasoja të rënda është në ulje krahasuar me një vit më parë, situata mbetet sërish e rëndë për një vend me rreth 3 milionë banorë si Shqipëria.
“Sipas të dhënave zyrtare, në muajin Qershor janë regjistruar 47.8 % më pak të vrarë nga aksidentet rrugore ndërsa për muajin Korrik 18.5 % më pak”, thonë burimet për JavaNews në Policinë e Shtetit. Tendenca është në ulje edhe për muajin Gusht, nga verifikimi i paraprak i të dhënave. Sipas të dhënave, gjatë muajve Qershor-Korrik-Gusht, janë regjistruar gjithsej rreth 600 aksidente në shkallë vendi në të cilat kanë humbur jetën 58 persona, 130 janë plagosur rëndë dhe mbi 550 persona janë plagosur lehtë.
Por, numri i viktimave mund të jetë edhe më i lartë, pasi në statistikat e policisë, nuk përfshihen ata persona që transportohen në spital në gjendje të rëndë dhe mund të humbasin jetën pas disa ditësh shkruan JavaNews.
Viktima e shkaktarë aksidentesh edhe turistët e huaj, dhjetëra ndëshkime
Në një numër të madh aksidentesh janë ëprfshirë edhe turistë të huaj. Përjashto rastin e adoleshentes ruse e cila u aksidentua për vdekje në det teksa u përplas nga një skaf, në akset rrugore këtë vit janë shmangur aksidentet fatale me pasoja. Janë disa dhjetëra aksidente të vogla ku janë përfshirë shtetas të huaj, por të paktën deri tani, nuk raportohet asnjë humbje jetë, qoftë edhe nga personat e plagosur disi më rëndë raporton JavaNews.
Në shumë raste shkaktarë aksidentesh kanë qenë shtetasit e huaj. Një rast që mund të kishte pasur pasoja të rënda ëhstë një aksident i ndodhur në Pogradec, ku një turist rumun shkaktoi një aksident të rëndë ku u përfshinë 3 automjete. Fatmirësisht nuk pati viktima dhe të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Mijëra patenta të bllokuara, deputetë, prokurorë e diplomatë të ndëshkuar
Policia e Shtetit ka vijuar aplikimin e masave të posaçme gjatë sezonit veror për parandalimin e aksidenteve, rritjen e sigurisë në rrugë, menaxhimin e lëvizjes në akset rrugore, si dhe sensibilizimin qytetar. Policia në të gjithë vendin, ka ushtruar kontrolle të shumta, duke përdorur Drager e Radar.
Gjatë sezonit veror, policia ka pezulluar mbi 3 mijë leje drejtimi. “’Rrjetës’ së saj nuk i kanë shpëtuar as zyrtarë të lartë. Patenta i është pezulluar edhe një deputeti, një prokurori dhe disa zyrtarëve të shërbimit diplomatik pasi shkeljet regjistrohen në sistem në mënyrë automatike”, thonë burimet e JavaNews në Policinë e Shtetit.
Sipas përllogaritjeve, në 70 % të rasteve patentat janë pezulluar për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, që përbën edhe një prej shkaqeve kryesore të aksidenteve.
Ndërkohë, një pjesë e madhe e patentave janë tërhequr edhe për drejtim të mjetit nën ndikimin e pijeve alkoolike. Në total gjatë sezonit veror, policia ka shtuar ndëshkimet edhe për shkele të ndryshme rrugore.
Mbi 120 mijë gjoba janë regjistruar në 3 muaj, nga të cilat mbi 30 mijë për shpejtësi tej normave të lejuara e parakalim të gabuar, dhe rreth 17 mijë për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit.
Shkaqet e aksidenteve
Policia rendit disa shkaqe kryesore në numrin e lartë të aksidenteve. Ajo që bie në sy ëhstë fakti se përpos sinjalistikës së dobët në shumë akse, numri më i madh i aksidenteve ka si shkaktarë shoferët e papërgjegjshëm. Arsyet kryesore të ndodhjes së aksidenteve janë shpejtësia tej normave të lejuara dhe mosrespektim i rregullave të qarkullimit nga drejtuesit e mjeteve e këmbësorët shkruan JavaNews.
Në këtë drejtim, policia së fundi ka paralajmëruar edhe ndëshkimin e këmbësorëve nëse nuk respektojnë semaforin, nuk kalojnë në vijat e bardha, apo kalojnë në mënyrë të rrezikshme në autostrada duke shmangur shpesh herë edhe mbikalimet.
Një ndër shkaqet është dhe sinjalistika jo e plotë, si dhe përdorimi agresiv i motoçikletave. Një numër të madh të aksidenteve me pasojë vdekjen e përbëjnë rastet kur përplasen motoçikletat. Përllogaritet që në rreth 30 % të vdekjeve nga aksidentete, udhëtarët janë me motora ose biçikleta.
Akset problematike
Rrëshen-Milot, mosrespektim i sinjalistikës dhe mosrespektim i kufijve të shpejtësisë.
Tiranë-Marikaj, mosrespektim i kufijve të shpejtësisë.
Tiranë-Kamëz-Fushë Krujë, mosrespektim i kufijve të shpejtësisë dhe sinjalistikë jo e plotë.
Fier-Lushnje, mosrespektim i sinjalistikës dhe mosrespektim i kufijve të shpejtësisë.
Shkodër-Velipojë, mosrespektim i kufijve të shpejtësisë dhe sinjalistikë jo e plotë.
Shkodër-Lezhë, mosrespektim i kufijve të shpejtësisë dhe sinjalistikë jo e plotë
/JavaNews/Andi Malasi