Kryetari i PD Lulzim Basha reagoi në lidhje me kapjen e 2.3 tonëve drogë në Itali. Ai thotë se ngarkesa e drogës tregon edhe njëherëse vetë Rama ka promovuar drogën dhe personat e lidhur me trafikun.
Basha akuzon edhe njëherë kryetarin e ardhshëm të Kuvendit Gramoz Ruçi dhe fatmir Xhafën.
STATUSI
Ngarkesa prej 2,3 tonë drogë e kapur sot në Itali dëshmon një të vërtetë të hidhur: trumpetat e Edi Ramës për luftë kundër drogës janë vetëm mashtrime me qëllim tulatjen e qytetarëve dhe të komunitetit ndërkombëtar. Ndërkohë ai mbron dhe promovon kokat e krimit të organizuar dhe bashkëpunëtorët e tyre politikë. Ky në fakt është projekti PS+ i shpallur prej tij: PS+drogë+kriminelë+korrupsion.
Kjo faktohet edhe nga promovimi prej tij i Gramoz Rucit të cilit që nga 2005 qeveria amerikane i ka refuzuar hyrjen në SHBA për shkak të përfshirjes në krimin e organizuar dhe trafikun e drogës, dhe Fatmir Xhafës të përfshirë në mbrojtjen e të vëllait të dënuar nga Italia për trafikun ndërkombëtar të kokainës.
Opozita do të bëjë çdo përpjekje për ta vënë atë para përgjegjësisë personale për drogën dhe krimin. Por kjo betejë kërkon edhe përpjekjet e medias, intelektualëve dhe të gjithë qytetarëve. Të gjithë duhet të ngremë zërin dhe të ngrihemi kundër rrezikut të drogës para se të jetë vonë.
/a.m.