Dy shtetasit bullgarë të arrestuar pak ditë më parë me akuzën se po tentonin të grabisnin një bankomat, kanë zbuluar para gjykatës planin që kërkonin të vinin në zbatim në vendin tonë.
Aleksandros Doan, 46 vjeç dhe Mihaill Karaxhanov, 29 vjeç, fillimisht mohuan se kishin si synim grabitjen e parave, duke nxjerrë si alibi se po ndihmonin një vajzë, së cilës i kishte mbetur karta e bankës në bankomat, ndërsa po tentonte të tërhiqte para nga llogaria e saj. Por, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, dy bullgarët kanë pranuar gjithçka duke shprehur pendesë.
“Erdhëm nga Bullgaria në Shqipëri me planin për të grabitur para, ju lutem na falni”, ishte apeli i tyre. Të përfaqësuar nga avokati Gjergj Imeraj, ata u asistuan nga një përkthyes bullgar gjatë dëshmisë së tyre.
Doan, i cili tha se punonte në profesion të lirë dhe Karaxhanov, i cili vazhdonte ende studimet, treguan para gjyqtarit Sokol Pine se cili ishte plani i tyre që synonin ta vinin në zbatim në Shqipëri.
Sipas dy bullgarëve, qëllimi nuk ishte të çanin bankomatin, por të vidhnin të dhënat e qytetarëve që kanë përdorur më parë bankomatin në fjalë. Më pas ata do t’i përdornin këto të dhëna për të realizuar tërheqjen e parave nga llogaritë e tyre bankare përmes kartave të klonuara.
Dy shtetasit bullgarë ishin nisur nga Bullgaria për aventurë, duke menduar se në Shqipëri mund të jetë e lehtë vjedhja e sistemeve kompjuterike të bankomatëve, por në fakt bankomatët në Shqipëri rezultuan që ishin të siguruar me sistem vëzhgimi.
Kjo pasi në momentin e parë që tentuan të bënin ndërhyrje në një bankomat në zonën pranë Portit Detar në Sarandë, në mënyrë që të vidhnin të dhënat e personave që kishin tërhequr para më parë, menjëherë u dha sinjali në zyrat qendrore të bankës së nivelit të dytë në Tiranë.
Këta të fundit, vunë në dijeni policinë, e cila brenda pak minutave arrestoi në flagrancë dy shtetasit bullgarë, të cilëve iu gjetën dhe pajisjet me të cilat do të kryenin vjedhjen e informacionit. Në përfundim të seancës, prokurori Lorenc Mërkuri kërkoi masën e sigurisë “arrest në burg” për dy të dyshuarit, e cila u la në fuqi edhe nga gjyqtari Sokol Pine.
Dy shtetasit bullgarë u arrestuan në flagrancë nga Policia, teksa tentonin të vidhnin një bankomat pranë Portit Detar të Sarandës. Ngjarja është regjistruar mëngjesin e së dielës.
Ka qenë ora 06:10, kur një telefonatë në sallën operative në Komisariatin e Policisë në Sarandë ka njoftuar nga qendra e kontrollit të bankomatëve, se një i tillë po tentohej të vidhej në lagjen nr.4, pranë Portit. Menjëherë, në vendngjarje është gjendur patrulla e Policisë, e cila ka kapur në flagrancë dy bullgarët.
Grabitja e bankomatit, flasin bullgarët: Një vajze i ngeci karta, na kërkoi ndihmë
Dy shtetasit bullgarë, të arrestuar tre ditë më parë në Sarandë me akuzën e grabitjes së një bankomati në zonën e Portit Detar, kanë mohuar gjithçka.
Por, pavarësisht se nuk kanë pranuar akuzën, dy shtetasit nga Bullgaria, që kishin ardhur për pushime në vendin tonë, kanë dhënë deklarata kontradiktore para policisë, shkruan “Panorama”.
Aleksandros Doan dhe Mihaill Karaxhanov janë shprehur se gjendeshin rastësisht pranë bankomatit të një banke të nivelit të dytë në momentin e arrestimit. Arrestimi i tyre ndodhi mëngjesin e së dielës, në tentativë për të hapur me trapan bankomatin në lagjen Nr.4 në qytetin e Sarandës.
Gjatë marrjes në pyetje, gjë e cila është bërë veçmas dhe në orare të ndryshme, dy turistët bullgarë kanë dhënë shpjegime kontradiktore për arsyen pse u gjendën para bankomatit.
Aleksandros Doan, 46 vjeç, lindur në Turqi dhe banues në Sofje, Bullgari, para grupit hetimor ka deklaruar se kishte shkuar për të tërhequr para dhe pasi kishte para se bankomati nuk funksiononte, ishte larguar.
“Kam shkuar te bankomati i … vetëm për të tërhequr lekë, por bankomati nuk ka funksionuar dhe jam larguar bashkë me shokun tim, deri sa na ka kapur Policia”, është shprehur 46-vjeçari.
Ndërkohë Mihaill Karaxhanov, 29 vjeç, lindur dhe banues në Varna, Bullgari, ka deklaruar se kishte shkuar për të ndihmuar një vajzë, së cilës i kishte ngecur karta e bankës brenda bankomatit.
“Kam shkuar te bankomati i… vetëm për të ndihmuar një shtetase që i kishte ngelur një kartë në bankomat dhe unë kam futur atje një pajisje metalike për të nxjerrë kartën, por bankomati nuk ka funksionuar dhe jam larguar bashkë me shokun tim, deri sa na ka kapur Policia”, ka deklaruar 29-vjeçari i arrestuar.
Ndryshe nga Aleksandros Doan, 29-vjeçari Karaxhanov, nuk ka pranuar të firmosë procesverbalin e Policisë. Ndaj të dyshuarve është ngritur akuza “vjedhje e bankave dhe arkave të kursimit e mbetur në tentativë”. Të dy bullgarët kanë ardhur në Sarandë përmes pikës së kalimit kufitar të Qafë Botës, shkruan “Panorama”.