Ministrja e Shtetit, Milena Harito ka marrë ditët e fundit një letër përshëndetjeje nga ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, në të cilën bëhen vlerësime të larta për punën e kryer në drejtim të Inovacionit dhe administratës publike në vend, por edhe në kuadër të forcimit të bashkëpunimi Shqipëri – SHBA.
“Dëshiroj t’ju përgëzoj për katër vjet shërbim shembullor si Ministër i Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike. Nën drejtimin tuaj, ne së bashku kemi punuar për të rritur përpjekjet e qeverisë për forcimin e sigurinë kibernetike, për të përmirësuar infrastrukturën e IT të qeverisë, për të mbështetur zhvillimin e Protik dhe për të nxitur zbatimin e plotë të ligjit për administratën publike”, shkruhet në letrën e dërguar ministres Harito.
Ambasadoi amerikan ka theksuar se vlerëson atë që ministrja Harito ka “bërë për inovacionin në Shqipëri, por edhe për forcimin e marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”.
Ministrja Harito gjatë qeverisë Rama 1 ka drejtuar sektorët e Inovacionit dhe Administratës Publike.
Gjatë këtyre katër viteve në sektorin e Inovacionit nga qeveria janë investuar më shumë se 100 milionë euro. Ndërkohë që reforma në Administratën Publike është vlerësuar në dy Progres Raporte të BE si prioriteti me ecurinë më të qëndrueshme ndër 5 prioritetet e integrimit të vendit në BE.
/b.d