Agjencitë e të Drejtave të Autorit, më në fund kanë gjetur mënyrën për të përfituar nga veprat e autorëve, duke taksuar çdo subjekt përdorues, me më rëndësi Televizionet, Radiot apo të tjera aktivitete biznesi, të cilat konsumojnë vepra të mbrojtura nga ligji i të drejtës së autorit.
Kjo tarifë do të paguhet për të gjithë njësoj, edhe pse dikush mund të konsumojë më pak, apo ta shfrytëzojë maksimalisht një vepër të mbrojtur nga ligji, qoftë muzikë, fotografi, film, libër dhe më gjerë. Ndërkaq, Agjencitë e të Drejtave të Autorit janë organizata jofitimprurëse të cilat ndërrohen çdo tre vjet.
Ndaj, edhe nëse subjekti përdorues nuk deklaron të ardhurat vjetore, Sporteli unik duhet të paguajë dyfishin e tarifës fikse, që përllogaritet në bazë të numrit të popullsisë të përcaktuar në licencë në 3 vjet. Çdo bëhet me grumbullimin e të ardhurave pasi agjencitë të ndërrohen? Sporteli Unik do të kontaktojë të gjithë autorët e veprave përkatëse, qofshin ato të huaja?
Absurditeti tjetër është se Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit do të tarifojë edhe Hotelet, motelet (në varësi të cilësisë së tyre) bazuar tek aparatet përcjellëse (altoparlant) që ndodhen në dhomë. Të paktën kanë shpëtuar përcjellësit muzikor që ndodhen në shtëpitë tona.
Vendimi
Më 4 gusht është miratuar nga Ministria e Kulturës vendimi i propozuar nga Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit në lidhje me “Metodologjinë dhe Masën e Tarifave të Shpërblimit të Veprave të Mbrojtura nga e Drejta e Autorit në Sistemin e Administrimit Kolektiv”, në Republikën e Shqipërisë.
Ky vendim nënkupton taksimin e çdo subjekti përdorues, qoftë televizion publik apo privat, radiot, dhe jo vetëm, por do të tarifohen edhe aktivitete biznesi si hotelet, shërbimet telefonike, lokalet apo mjetet transportuese ku komunikojnë në publik veprat e mbrojtura, në bazë të një tarife të llogaritur sipas një formule të përcaktuar nga Sporteli Unik(agjencia që kryen funksionin e mbledhjes së tarifave të shpërblimit nga subjektet përdoruese, në emër të agjencive të licencuara).
Sipas këtij vendimi, tarifat e njësuara dhe marrja e të ardhurave vetëm nga një subjekt, janë dy pikat thelbësore të ndryshimit të ligjit për mbledhjen e të ardhurave për të Drejtat e Autorit. Konkretisht, tarifa fikse për çdo subjekt përdorues do të llogaritet në bazë të kohëzgjatjes të një vepre dhe të ardhurave vjetore të deklaruara, ose nëse përdoruesi i veprave të mbrojtura nuk ka deklaruar të ardhurat atëherë duhet të paguajë dyfishin e tarifës fikse, që përllogaritet në bazë të numrit të popullsisë të përcaktuar në licencë në 3 vjet.
Televizioni
Tarifimi i veprës së mbrojtur për Televizionin nga Sporteli Unik, përfaqësuesi i vetëm nga Agjencitë për të Drejtat e Autorit, do të bëhet shkak i konflikteve mes mediave, ndaj është e rëndësishme bashkimi i televizioneve për ankimimin e këtij vendimi dhe rishikimin për ligjin Nr. 35/2016, datë 31.3.2016 për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to, i cili i jep të drejtën autorit për rishitjen e veprës.
Gjithashtu, për shkak të tarifave të larta dhe pothuajse të njëjta për televizionet, sjell mostransmetimin e filmave, këngëve, siglave muzikore, fotografive, duke e kthyer televizionin të padomosdoshëm për ndjekësit.
I. Televizioni Kombëtar Publik/ Privat, për kohëzgjatjen deri në 10% të veprës së mbrojtur nga sporteli unik në programacionin ditor (24 orë) paguan për këtë vepër 1% e të ardhurave bruto vjetore të deklaruara në pasqyrën e tij financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve; paguan 2% të të ardhurave bruto vjetore për kohëzgjatjen nga 11% deri në 35% të veprës së mbrojtur nga sporteli unik në programacionin ditor (24 orë); 3% për kohëzgjatjen nga 36% deri në 65% dhe 4% të të ardhurave vjetore për kohëzgjatjen mbi 65% të veprave të mbrojtura nga sporteli unik brenda 24 orëve.
Në rastet kur subjekti përdorues nuk deklaron të ardhurat bruto vjetore, tarifa e pagueshme është sa tarifa më e lartë e paguar për Sportelin Unik nga subjekte përdorues të së njëjtës kategori. Për shembull, nëse një televizion kombëtar përdor një vepër të mbrojtur nga Sporteli unik në kohëzgjatjen e përcaktuar deri në 35%, duhet të paguajë 2% të të ardhurave, supozojmë se ka të ardhura bruto vjetore 100 milionë lekë, sjell 2 milionë lekë të ardhura për Sportelin Unik në Vit!
II. Televizioni lokal, kohëzgjatjen deri në 10% të veprës së mbrojtur nga sporteli unik në programacionin ditor (24 orë) paguan për këtë vepër 1% e të ardhurave bruto vjetore ,mbi 5 milionë lekë, të deklaruara në pasqyrën e tij financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve, paguan 2% të të ardhurave bruto vjetore mbi 5 milionë lekë për kohëzgjatjen nga 11% deri në 35% të veprës së mbrojtur nga sporteli unik në programacionin ditor (24 orë), 3% për kohëzgjatjen nga 36% deri në 65% dhe 4% të të ardhurave vjetore mbi 5 milionë lekë për kohëzgjatjen mbi 65% të veprave të mbrojtura nga sporteli unik brenda 24 orëve.
Kësaj vlere parash i shtohet edhe tarifa fikse e llogaritur sipas numrit të popullsisë të përcaktuar në licencë, si psh nën 20 banorë për deri në 10% televizioni lokal duhet të paguajë edhe 40 mijë lekë më shumë. Pra, nëse një televizion lokal përdor një vepër të mbrojtur nga Sporteli unik në kohëzgjatjen e përcaktuar deri në 10% dhe ka në zonën e tij 20 banorë, duhet të paguajë nga të ardhurat bruto vjetore, supozojmë se ka 6 milionë, atëherë paguan 64 mijë të ardhura në vit për Sportelin Unik!
Konkluzionet
Nga ky vendim dalim në konkluzionin se edhe nëse një televizion përdor vetëm një sigël muzikore gjatë programacionit ditor, është i detyruar të paguajë 1% të të ardhurave bruto vjetore, të njëjtën pagesë me një tjetër televizion që e shfrytëzon maksimalisht pra deri në 10%, kohëzgjatjen e përcaktuar. Për jo të njëjtën sasi, paguhet e njëjta shumë lekësh.
Të tjera
Absurditeti tjetër është se Këshilli Kombëtar për të Drejtat e Autorit tarifon tashmë edhe strukturat akomoduese (Hotel, motel) në bazë të aparateve përcjellëse (altoparlant) që ndodhen në dhomë. Për qendrat tregtare, tarifa mujore për tu paguar është në bazë të sipërfaqes në m2 të qendrës, 50 m2 përbëjnë 1 pikë dhe 1 pikë është e barasvlershme me 10 lekë.
Për mjetet e transportit(autobus, anije, aeroplan) njësia matëse për mjet në muaj është 10 pikë, kur 1 pikë është e barasvlershme me 10 lekë. Gjithashtu do të tarifohen edhe mjediset kulturore (Muze, Kinema, Ekspozita), ku tarifa mujore për Kineman është 10 pikë për 1 shfaqje, ndërsa Muzeu dhe Ekspozita 10 pikë në muaj, ku 1 pikë vlen 10 lekë.
Krijimet që nuk janë objekt mbrojtjeje nga e drejta e autorit:
a) idetë, teoritë, konceptet, zbulimet dhe shpikjet në një vepër krijuese, pavarësisht nga mënyra e marrjes, e të shpjeguarit ose e të shprehurit;
b) shpikjet, aktet ligjore, administrative dhe gjyqësore, si dhe krijime të tjera zyrtare dhe koleksionet e tyre, të paraqitura me qëllim që të informohet zyrtarisht publiku;
c) simbolet zyrtare të shtetit, të organizatave dhe autoriteteve publike, si për shembull: armët, vula, flamuri, emblemat, medaljoni, shenja dalluese, medalja;
ç) mjetet e pagesës;
d) lajmet dhe informacioni i shtypit, i cili ka karakter të thjeshtë informimi;
dh) të dhënat dhe faktet e thjeshta.
Dispozitat e këtij ligji zbatohen për:
a) veprat: që nuk janë shfaqur në publik dhe që kanë për autorë shtetas shqiptarë; që nuk janë shfaqur në publik dhe që kanë për autorë persona fizikë, që jetojnë ose janë rezidentë në Shqipëri;
që janë shfaqur për publikun në Republikën e Shqipërisë ose janë shfaqur për publikun në një vend tjetër dhe, brenda 30 ditëve, janë shfaqur në Shqipëri; e autorëve të huaj, të shfaqura për herë të parë në vendin e tyre ose në një vend të tretë
dhe, brenda 30 ditëve, të jenë shfaqur edhe në Republikën e Shqipërisë; arkitekturore, të ndërtuara në territorin e Republikës së Shqipërisë;
b) veprat/shfaqjet e artistëve interpretues dhe/ose ekzekutues:
që jetojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë; të fiksuara në regjistrimet e tingujve, të mbrojtura nga ky ligj; regjistrimet e fonogrameve/tingujve;
c) programet audiovizive:të transmetuara nga ofruesit e shërbimit mediatik për transmetimet audiovizive, me seli në Republikën e Shqipërisë; të transmetuara nga stacionet e emetimit që ndodhen në territorin e Republikës së Shqipërisë./Shqiptarja/a.m.