Nga Artur Ajazi
Përfundimisht PD është “pushkatuar pa gjyq”, dhe kjo ka ndodhur në momentet më delikate të saj, kur vihet në pikëpyetje mbijetesa e kësaj partie historike. Partia e dhjetoristëve, partia e vlerave demokratike dhe euroatlantike, partia e ëndrrave të mëdha, rrezikon të kthehet në partiçkë, pasi ka rënë në duart e një njeriu të rrethuar nga servilë, dështakë, pjestarë të klaneve të shpartalluara dhe grupimeve që kërkojnë domosdoshmërisht asgjesimin e PD. Mungesa e transparencës, mungesa e garës së sinqertë që karakterizoi PD deri në 22 korrik, mungesa e dëshirës dhe vullnetit për zbatimin e Statutit të PD si dhe pabesia me të cilën një kryetari “ri” vendosi të “ngrijë vehten” por pa u larguar nga posti dhe zyra e tij, janë treguesit e fillimit të një procesi vetshkatërrues i cili mbetet i pashmangshëm.
Partia Demokratike e Shqipërisë, u formua si një formacion vlerash demokratike, europiane, ajo ishte dhe do të mbetet aspirata e rinisë, e qindra mijëra intelektualëve dhe desidentëve të dënuar nga diktatura, dhe nuk mund të mbetet peng i një njeriu që vetëm qoftë ky edhe kryetar partie. Ajo ç’ka ndodhi me PD para dhe pas 22 korrikut, pas një gare aspak të ndershme, e antistatutore, si dhe ajo që po pergatitet të ndodhë në muajt në vijim, mbetet sinjali alarmit për qindra mijëra demokratë. Partia Demokratike e Shqipërisë, kurrë nuk ka qenë më e rrezikuar se sot, kurrë nuk ka qenë më e atrofizuar se sot, kurrë nuk ka qenë më e tradhëtuar se sot, dhe kurrë nuk ka qenë më e përdorur se sot, për interesa klanore, personale, gati për tu shpërbërë.
PD sot nuk e shpëton dot as Dr. Berisha, pasi frenat e saj i ka marrë klani anti-PD, duke larguar dhunshëm vlerat dhe kontrubuesit e saj, dhe duke afruar antivlerat e saj, një rrugë e cila këtë parti do të kthejë shumë shpejt në shoqatë. Ajo që ndodhi me PD në 25 qershorin e 2017, ( dhe pas mashtrimit me çadrën e “lirisë” ) pa asnjë mëdyshje do të quhet, si fillimi i shkatërrimit të një partie, e cila 27 vjet më parë ngriti në këmbë 1.2 milion zemra shqiptarësh për ta bashkuar vendin me familjen e madhe europiane dhe demokracinë më të vjetër në botë, atë amerikane.
Mungesa e fushatës dinjitoze, mungesa e sinqeritetit dhe transparencës, mungesa e aftësive, largimi dhunshëm i stafit të nevojshëm dhe potencialeve intelektuale që ka kjo parti, e kanë katandisur PD në nivele mjerane politike. Ajo që ndodhi në 25 qershor 2017, dhe ato që pritet të ndodhin pas “zgjedhjes” së kryetari të ri, treguan se zoti Lulzim Basha , ishte dhe do të mbetet edhe për 4 vitet e tjera pronari i PD, e të ardhmes saj, gjë e cila të bën të mendosh se asgjesimi kësaj partie, është çështje kohe. Ardhja e zotit Basha në krye të PD, ishte një proces denigrues dhe antistatutor, ishte një proces farsë, nga i cili humbi shumë kjo parti, e cila në 25 qershor humbi jo vetëm 220 mijë vota në shkallë vendi, por ka fshirë nga regjistrat e saj gjithë anëtarësinë dhe strukturat e rretheve. Pothuajse në të gjitha qytetet dhe fshatrat e vendit, nuk ka sot, as seksione dhe as grup-seksione të PD-ve lokale, nuk ka as anëtarësime dhe as statistika zyrtare, gjë e cila të bën të mendosh se në 22 korrik , ata që do të votuan ishin krejt anonimë, dhe jo anëtarët realë të kësaj partie.
Situata në të cilën gjenden sot degët e PD, si në Durrës, Elbasan, Tiranë, Korçë, Vlorë, Shkodër e Gjirokstër, Berat dhe Sarandë, është alarmante, e turpshme, dhe vajtuese, dhe kjo për fajin e “Liderit” që humbi zgjedhjet, përgjysmoi votat në 25 qershor, dhe që nuk bëri dot reformimin e partisë në 4 vitet e shkuara. Këto dhe shumë faktorë të tjerë shqetësues dhe tronditës, të shtyjnë të mendosh, se si mundet që kryetari, edhe pse humbi thellë, me këmbëngulje të habitshme kërkoi të rikonfirmohej si i tillë, si mund të guxonte sërish postin e kreut të PD, kur kjo parti është katandisur drejt shkërrmoqjes vetëm për shkakun e drejtimit të gabuar ?
Si mundet që një njeri që humbet thellë zgjedhjet, që largon vlerat dhe kontributet e partisë, që merr përsipër gjithçka duke nisur nga listat e grupit parlamentar dhe deri tek emërimet e tjera, të ketë kurajon të rimarrë postin e kryetarit të Partisë Demokratike ? Këtë gjë nuk e ka bërë as Dr. Berisha, por nuk do ta bënte as Nano, por e bëri zoti Basha. Për çdo democrat, anëtar të PD, tashmë gjithçka është e qartë mbi pazaret e mesnatës së 17 Majit 2017, duke nisur nga mbijetesa Lulit si kryetar, tek shkatërrimi PD, dhe sundimi Ramës edhe për 8 vitet e tjera si kryeministër.