Trajneri i ri i kombëtares shqiptare, Christian Panucci, në një konferencë për shtyp sot përpara takimeve me Lihteshtejn dhe Maqedoninë, tha se ka grumbulluar 24 lojtarët që do t’i nevojiten për këto dy ndeshje.
Tekniku italian njoftoi se ka grumbulluar 3 lojtarë të rinj, pasi sipas tij ata e kanë merituar. Panucci gjithashtu zbuloi edhe episodin e ndodhur me Sokol Cikalleshin, të cilin e kishte njoftuar për të ardhur në kombëtare, por ai ishte justifikuar me motivin se duhet të firmoste për ekipin e ri.
“Listën e lojtarëve e përcolla ditën e premte, është me 24 lojtarë, mes të cilëve 3 të rinj që e kanë merituar. Fola me Cikalleshin në telefon sot në mëngjes, pasi më tha që nuk mund të vinte pasi duhet të firmoste një kontratë me ekipin e ri. Pasi e dëgjova i thashë që nuk mund të të jap leje për të ardhur me ekipin, pasi kontratat firmosen edhe me e-mail, por edhe nëpërmjet menaxherit që ta marrë me avion kontratën. Dhe meqë nuk mori avionin e orës 8 të mëngjesit dhe duke mos ardhur në orarin e grumbullimit, lojtari do të qëndrojë në shtëpi, sepse ka rregulla që duhen respektuar. E rëndësishme për mua është që lojtarët të ndihen mirë, por nuk i lejoj askujt të bëjë si të dojë,” tha Panucci. /BW