Gjatë vitit 2017-të, Gjermania është parë si destinacioni kryesor nga shumë shqiptarë që duan të largohen prej vendit për një jetë më të mirë.
Në një kohë që radhët në dyert e ambasadës gjermane sa vijnë e shtohen, ambasadorja gjermane në Shqipëri Suzanne Schutz, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” thekson se azilkërkimi është një rrugë pa krye dhe e pashpresë për shqiptarët. Ajo bën me dije se tregu gjerman i punës ka një nevojë për specialistë shumë të mirë kualifikuar dhe që i përmbushin të gjitha kriteret ligjore. Për të gjithë të interesuarit publikohen sot profesionet më të kërkuara në tregun gjerman dhe të gjitha procedurat që duhen ndjekur për të siguruar një vizë pune.
A ka hapur Gjermania vende të reja pune këtë vit?
Më lejoni të them paraprakisht diçka, nëse jemi duke folur për vendet e punës në Gjermani, një gjë duhet të jetë plotësisht e qartë për të gjithë ata shqiptarë që janë të interesuar për mundësi punësimi në Gjermani, të udhëtosh drejt Gjermanisë me qëllimin për t’u punësuar atje dhe pasi të mbërrish të kërkosh azil, është një rrugë që nuk të çon drejt një marrëdhënieje punësimi, por është një rrugë pa krye. Gjermania e ka kategorizuar Shqipërinë si vend të sigurt origjine, që do të thotë se kërkesat për azil nga shtetasit shqiptarë, ashtu sikurse edhe nga vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, përpunohen aktualisht mjaft shpejt dhe refuzohen praktikisht në të gjitha rastet. Azilkërkuesit shqiptarë duhet që më pas të kthehen në Shqipëri, e nëse nuk e bëjnë këtë vullnetarisht, por kthehen me forcë, marrin ndalim-hyrjeje një deri pesëvjeçar në të gjithë hapësirën SCHENGEN. Azil kërkimi, pra është rruga e gabuar. Tani le t’i kthehemi ekonomisë gjermane: Ekonomia gjermane rritet, tregu i punës zhvillohet mirë, por me dallime të forta rajonale, duke nisur nga punësimi thuajse i plotë në qytetet jugperëndimore deri në shifra të larta të papunësisë në zonat rurale në lindje të vendit.
Cilat janë aktualisht profesionet më të kërkuara?
Veçanërisht të kërkuara janë infermierët e specialiteteve, një profesion ky, për të cilin duhet të jetë bërë kualifikimi përkatës në sektorin shëndetësor. Këtu bëjnë pjesë për shembull infermierët /et e kirurgjisë. Në Gjermani ka mungesa edhe në kujdestarët në shtëpitë e të moshuarve. Kërkohen, gjithashtu, specialistë me formim për profesionet teknike, si p.sh. mekatronikë, elektrikë godinash si dhe specialistë në sektorin e teknikave elektrike të një ndërmarrjeje apo të automatizimit.
Çfarë kriteresh duhet të përmbushin aplikuesit?
Në parim vlen teza që tregu gjerman i punës ka një nevojë të madhe kryesisht për specialistë shumë të mirë kualifikuar. Edhe specialistët e huaj kërkohen, por këtu vlen përsëri rregulli. Ata mund të fillojnë punën vetëm pasi kanë përmbushur të gjitha kriteret ligjore. Për të interesuarit nga shtetet e tjera, në kriteret e aplikimit bëjnë pjesë, krahas paraqitjes së formularit të plotë- suar në mënyrë të plotë dhe me vërtetësi, edhe paraqitja me çdo kusht e një kontrate pune detyruese për palët ose miratimi paraprak për vendin e punës nga punëdhënësi në Gjermani. Ky dokument duhet të paraqitet paraprakisht. Dhe në rastin e profesioneve të kualifikuara është e domosdoshme dëshmia e kualifikimit nëpërmjet certifikatave, diplomave ose, nëse ka, një dëshmi për ushtrimin e profesionit në fjalë.
Sa mund të zgjasin këto procedura dhe cilat janë dokumentet që kërkohen deri në firmosjen e kontratës së punës?
Negocimi i aplikuesit me punëdhënësin potencial në Gjermani deri në nënshkrimin e një kontrate pune është natyrisht diçka që ndodh mes punëmarrësit dhe punëdhënësit. Shteti gjerman në parim nuk përzihet në këtë çështje. Kurse procedura për aplikimin e vizës që vjen pas nënshkrimit të kontratës mund të zgjasë sipas rrethanave disa javë.
Në varësi të rasteve të veçanta, zyra përkatëse gjermane për të huajt duhet të përfshihet në procedurë ku dhe kryen pjesën më të madhe të përpunimit të aplikimit. Kështu përfaqësitë diplomatike gjermane nuk kanë praktikisht ndikim në kohën e përpunimit të aplikimit dhe në vendimmarrje.
A ka pasur aplikime për viza pune nga shqiptarët këtë vit drejt Gjermanisë dhe sa është numri i tyre?
Shqiptarët janë ende shumë të interesuar për mundësitë e punësimit në Gjermani. Pas hyrjes në fuqi të të ashtuquajturit ligji për emigrimin e ligjshëm për Ballkanin Perëndimor, i cili u mundëson shtetasve të vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas kritereve të caktuara të punojnë në mënyrë legale në Gjermani në profesione më pak të kualifikuara, gjysmën e parë të vitit 2017 kanë aplikuar për vizë pune mbi 2.000 shqiptarë. Përveç këtyre kanë aplikuar 100 aplikues me kualifikim të lartë dhe shkencëtarë, disa të vetëpunë- suar si dhe mbi 200 të tjerë për viza arsimimi dhe kualifikimi.
Po aplikime për studime në Gjermani ka pasur dhe sa është numri i tyre?
Në gjysmën e parë të vitit 2017 aplikuan viza me qëllim studimi dhe ndjekjes së një kursi gjuhe rreth 240 persona.
Sa shqiptarë janë riatdhesuar në vendin e tyre brenda këtij viti?
Çështja e të kthyerve është, në fakt, një çështje shumë e rëndësishme. Në periudhën kohore nga janari 2017 e deri më sot janë riatdhesuar në vendin e tyre rreth 2.500 shqiptarë. Ky numër përfshin personat që janë kthyer me dëshirën e tyre si dhe ata që janë kthyer forcërisht. Këtu më duhet të përsëris edhe një herë, kërkesat e pashpresa për azil dhe qëndrimi ilegal në gjermani do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në riatdhesimin në Shqipëri të personave, qoftë kjo edhe kundra vullnetit të tyre. Pasojat janë drastike. Kush e lë të shkojë puna deri te dëbimi nuk do të lejohet si rregull të udhë- tojë për shumë vjet në Gjermani ose në zonën SCHENGEN. Për mua është, gjithashtu, e rëndësishme që shqiptarët e energjikë dhe të zhdërvjellët, dhe unë kam njohur shumë prej tyre, nevojiten këtu në Shqipëri. Gjermania dhe Bashkimi Evropian bëjnë shumë që të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj të reformave ekonomike dhe sociale. Por në fund të ditës kushtet e jetesës në vend duhet të përmirësohen nga vetë shqiptarët.
Sa është numri i azilkërkuesve drejt Gjermanisë këtë vit?
Lidhur me temën e azil kërkimit u shpreha edhe në hyrje të intervistës. E përsëris: azil kërkimi është për shqiptarët një procedurë e pashpresë. Praktikisht të gjitha aplikimet për azil nga shtetas shqiptarë marrin përgjigje negative, aplikuesit duhet të largohen pas kësaj sërish nga Gjermania, çka është e lidhur me kosto të larta. Nëse azilkërkuesit e refuzuar nuk pranojnë të largohen me dëshirën e tyre nga Gjermania, atëherë ata kthehen forcërisht në vendin e origjinës. Kjo procedurë është e lidhur me një masë ndalim-hyrjeje disavjeçare. E megjithatë, në gjysmën e parë të vitit 2017 rreth 3500 shtetas shqiptarë kanë bërë kërkesë për azil në Gjermani. Ky është problem si për Gjermaninë ashtu edhe për Shqipërinë, dhe ka sjellë ndërkohë pasoja konkrete këtu në Shqipëri: ne përshëndesim faktin, që prej datës 1 gusht 2017 të këtij viti në të gjitha pikë- kalimet kufitare si dhe në aeroportin e Tiranës shtetasit shqiptarë, që udhëtojnë jashtë vendit, kontrollohen sistematikisht me urdhër të Policisë së Shtetit sipas instrumenteve rregullatore të BE-së. Katër kriteret e më- poshtme do të duhej të plotësoheshin në momentin e largimit nga vendi: adresa e saktë e akomodimit si dhe një ftesë e pritësit në vendin e destinacionit; rezervimi i biletës së kthimit si dhe mjete financiare të mjaftueshme për mbulimin e shpenzimeve të qëndrimit. Nëse nuk zotërohet një rezervim hoteli, atëherë kërkohet 100 euro për çdo ditë qëndrimi në zonën SCHENGEN.
Nëse ekziston konfirmimi i rezervimit, atëherë mjaftojnë 50 euro në ditë. Nëse udhëtarët nuk plotësojnë njërin prej këtyre katër kushteve atëherë Policia Shqiptare e Kufirit do të ndalë vijimin e udhëtimit të tyre. Kjo do të ketë për pasojë regjistrimin në sistemin e të dhënave të Policisë Shqiptare të Kufirit, çka mund të ndiqet eventualisht edhe nga një masë e ndalim-daljes nga vendi.
Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, si operon shteti gjerman ndaj Shqipërisë?
Gjermania angazhohet për të gjitha vendet e rajonit në një shumësi fushash e nivelesh. Përmend këtu të ashtuquajturin proces të Berlinit me iniciativat e tij të shumta. Të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë natyrisht veçoritë e tyre, por të gjitha i bashkon fakti, që emigrimi për qëllime punësimi në drejtim të Gjermanisë nuk mund të jetë i suksesshëm përmes aplikimeve të pashpresa për statusin e azilantit apo përmes abuzimit me lirinë e lëvizjes. Kjo është një rrugë qorre për të gjithë qytetarët dhe qytetaret e këtij rajoni! Ndaj edhe kolegët e mi nga përfaqësitë e tjera të huaja e komunikojnë këtë shumë qartë, njësoj sikurse edhe unë.