Raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë David McAllister ka deklaruar se përshëndet iniciativën e kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiç për fillimin e dialogut në Serbi për Kosovën dhe përpjekjet që të gjendet zgjidhja për normalizimin e marrëdhënieve Beograd – Prishtinë me bazë të qëndrueshme , transmeton Koha.net.
McAllister në intervistën dhënë gazetës së Beogradit ‘Blic” ka thënë se Vuçiç në Beograd i kishte treguar pse e kishte nisur iniciativën për dialogun e brendshëm dhe si ai dialog mund të strukturohet.
„Do të doja të inkurajoja shoqërinë serbe, politikanët, përfaqësuesit fetarë, shoqërinë civile, bashkësinë e biznesit … të hyjnë në dialog dhe të përpiqen të gjejnë atë që mund të jetë zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës në bazë të qëndrueshme”, ka thënë zyrtari europian. (b.an)