Shërbimi i dializës, PD: Mikut të Ramës iu falën 61 milionë euro
Partia Demokratike ka reaguar sot për atë që ajo e ka cilësuar si ‘Pazar-shëndetësia e Ramës’. Në një deklaratë për mediat paraditen e së shtunës, zëdhënësja e PD tha se 61 milionë euro do t’i jepen më 3 gusht një miku të kryeministrit. Bëhet fjalë për koncensionin për shërbimin e dializës në spitalet kryesore të vendit, ndërkohë që sipas PD kjo është goditja më e madhe që i bëhet shëndetësisë.
“Premtoi shëndetësi falas por pas dy vitesh shëndetësia është bërë pazari më i madh në vend, kushtet janë në ditën më të keqe, qytetarët po paguajnë më shumë se asnjëherë tjetër, shërbimi është skandaloz, ndërsa miliona euro po përfundojnë në xhepat e klientelës” – tha zëdhënesja e PD.
Ajo u shpreh se ‘kudo në çdo sektor të shëndetësisë, Edi Rama po zbulon biznese milionash me skema mafioze të rimbursimit të ilaçeve e me koncesione që i përfitojnë të afermit e kryeministrit’.