I cilësuar si një investitorët kryesor në Arabinë Saudite dhe në Rajon, Princ AlWaleed bin Talal bin Abdulaziz Al-Saud, një ndër miliarderët botërorë, me rreth 17.3 miliardë dollarë pasuri, pronar i “Kingdom Holding Company”, President i “AlWleed Fondation”, anëtar i Familjes Mbretërore të Arabisë Saudite, për disa ditë do të vizitojë Shqipërinë. Princ AlWaleed ka ardhur në portin e Durrësit me Yachtin e tij, Kingdom 5K, i shoqëruar nga një Yacht tjetër për stafin e tij.
Gjatë qëndrimit në vendin tonë Princ AlWaleed, do të takohet më Presidentin, Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe anëtarë të tjerë të kabinetit qeveritar.
Princ AlWaleed, që ka shprehur interes për të investuar në Shqipëri, në takime do të diskutojë për mundësinë për të investuar në Shqipëri, si dhe për projekte të tjera zhvillimore. Princ AlWaleed, është konsideruar dy herë nga revista Forbes si një nga investitorët më inteligjentë dhe krijues në botë, që përcakton gjithçka për operacionet botërore të Kingdom Holding Company (KHC), duke ofruar një vizion të qartë që ka njohur sukses të jashtëzakonshëm dhe njohje në mbarë botën.
Interesat kryesore të saj janë: investimet në hotelëri, spitale e qendra shëndetësore, arsim, shërbimet financiare, pasuritë e patundshme, turizmi, media, petrokimikë, aviacioni, teknologjia etj. Princ AlWaleed është nipi i Themeluesit të Mbretërisë së Arabisë Saudite, mbretit të parë Abdulaziz, djali i vëllait të Mbretit aktual saudit, Salman, si dhe nipi i Riad Al Solh, themeluesit dhe Kryeministrit të parë të Libanit. Jahti i Princit Saudit ka hyre ne portin e Durresit rreth ores 10 e 30. Ai është ankoruar ne kalaten nr 4.