Autoritetet e sigurisë në Holandë kanë shkruar një raport për krimin e organizuar shqiptar dhe kanë sugjeruar si mundësi që Shqipërisë t’i vendoset regjimi i vizave. Gjasat që për shkak të këtij raporti shqiptarëve t’u kthehen vizat janë të vogla, por qeveritarët në Tiranë duhet të marrin shumë seriozisht çdo kritikë – sepse jo vetëm Holanda ka ngritur alarmin mbi keqbërësit shqiptarë.
Nga Enver Robelli
Ministri i Jashtëm i Republikës së Shqipërisë, Ditmir Bushati, shquhet për deklarata të matura. Ai ndoshta është ndër politikanët e vetëm të Partisë Socialiste që sa herë që flet e ka parasysh interesin e vendit dhe të qytetarëve, andaj nuk pranon të zhytet në polemika të ulëta, siç jemi mësuar të shohim e dëgjojmë në parlamentet e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Gjatë fundjavës ministri Bushati braktisi rolin e tij prej diplomati dhe në mediat sociale shkroi: «Gjinkallat e dëshpëruara të 25 qershorit po i kalojnë ethet e gushtit me klithma për kthimin e vizave! Shërim të shpejtë». Krahasimi i politikanëve të opozitës, por edhe i gazetarëve me gjinkalla, pra me insekte, është sjellje e papranueshme, sidomos për një kryediplomat, i cili është dalluar me ton racional në debatet politike në Tiranë.
Cila ishte arsyeja e shpërthimit të Bushatit? Ditë më parë mediat në Holandë njoftuan se autoritetet e sigurisë në Amsterdam dhe Roterdam kanë alarmuar opinionin mbi kriminelët shqiptarë, të cilët bëjnë kërdi në këtë vend të Bashkimit Europian. Oficerë të policisë holandeze kanë propozuar si mundësi madje edhe rikthimin e vizave për shqiptarë. Në Tiranë menjëherë ka shpërthyer një polemikë: një tabor thotë se raporti nuk duhet të merret me aq shqetësim, ndërsa në taborin tjetër zërat kritikë kundër kabinetit të Edi Ramës pretendojnë se si pasojë e keqqeverisjes vizat mund të kthehen.
Për hir të së vërtetës duhet thënë: gjasat që për shkak të një raporti policor holandez shqiptarëve t’u kthehen vizat janë të vogla, por qeveritarët në Tiranë duhet të marrin shumë seriozisht çdo kritikë – sepse jo vetëm Holanda ka ngritur alarmin mbi keqbërësit shqiptarë. Është evidente se një numër i vogël i shtetasve të Shqipërisë është duke e shfrytëzuar lirinë e lëvizjes në vendet e Schengenit për t’u marrë me lloj-lloj krimesh – nga tregtia me drogë deri te trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni. Qeveria në Tiranë nuk duhet të sillet sikur ky problem nuk ekziston apo se është vetëm një shpikje e opozitës. Ndërsa opozita në vend të kritikave frontale dhe personale, duhet të bëjë propozime konkrete si të jenë më efikase autoritetet shqiptare të sigurisë në luftimin e grupeve kriminale. Sepse dëmi nga këto grupe i shkaktohet tërë Shqipërisë.
Në fund të qershorit kriminologë nga Universiteti i Lausannes publikuan një raport që tregonte se tregu i heroinës në Zvicër dominohet nga shqiptarët. Në statistikat dhe njoftimet policore bie në sy shpesh numri relativisht i madh i shqiptarëve të arrestuar. Zakonisht arrestohen «peshqit e vegjël», ata që shesin nga pesë gramë heroinë nëpër rrugë e rrugica, restorante e diskoteka. Qendra të shitjes së drogës janë Zürichu, Berna dhe Gjeneva. Të arrestuarit janë kryesisht shqiptarë nga Republika e Shqipërisë, të cilët në Zvicër vijnë si turistë. Autori i studimit Frank Zobel tha se shkathtësia e sistemit shqiptar qëndron në faktin se të rinjtë dërgohen për një kohë të shkurtër në Zvicër dhe nuk kanë informata mbi organizatën për të cilën «punojnë». Përkundër arrestimit të shpërndarësve, hetuesit policorë rrallëherë arrijnë të kuptojnë se kush qëndron pas sistemit të shitjes së drogës. Ministri Bushati dhe sidomos oficerët e lartë të policisë shqiptare dhe prokurorët duhet ta lexojnë këtë raport.
Në fund të prillit gazeta e njohur gjermane «Frankfurter Allgemeine Zeitung» shkroi se për shkak të tolerancës ndaj mbjellësve dhe tregtarëve të kanabisit, Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, po shndërrohet në rrezik për sigurinë. Zyrtarë italianë gjatë këtij viti kanë qëndruar në Tiranë dhe i kanë bërë presion qeverisë shqiptare të marrë seriozisht luftën kundër trafikantëve të drogës. Gjendja është aq alarmante, saqë disa oficerë shqiptarë të njësive të antidrogës kanë ikur në vendet europiane, ku kanë kërkuar azil. Një oficer i lartë i policisë së Fierit ka marrë azil në Zvicër. Një tjetër ka kërkuar azil. Ndërsa së paku një koleg i tyre ka kërkuar azil në Holandë.
Këto janë zhvillime shqetësuese dhe kabineti Rama II, që pritet të formohet së shpejti, duhet të kuptojë se krimi e korrupsioni përfundimisht nuk mund të luftohen nga ministrat e lidhur me struktura mafioze. Shqipëria ka humbur shumë kohë me beteja të mërzitshme politike dhe me polarizim të skajshëm mes partive – ky trend do të duhej të merrte fund, në mënyrë që vendi të përparojë në rrugën e integrimeve europiane. Polemikat me gjinkalla janë vetëm përpjekje e dobët për të zbavitur publikun.