Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se Shqipëria nuk e mbështet më koalicionin PAN (PDK-AAK-Nisma) dhe kandidatin e këtij koalicioni për krijimin e Qeverisë, Ramush Haradinajn.
“Shqipëria zyrtare nuk është me ta”, ka thënë Kurti të enjten, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, transmeton gazeta Express.
Kurti i ka quajtur liderët e PAN-it “kriminelë” të cilët, siç ka thënë ai, “po mbështeten nga Shesheli dhe nga Vuçiqi”.
Ai ka theksuar se liderët e koalicionit PAN “nuk kanë qenë kurrë më të izoluar”.
Nuk dihet nëse Kurti ka manipuluar sot me këtë deklaratë. Kreu i Qeverisë së Shqipërisë, Edi Rama, zyrtarisht nuk ka bërë ndonjë deklaratë rreth formimit të institucioneve në Kosovë.
Në muajin shkurt, kur Haradinaj ishte ndaluar në Francë, për shkak të fletarrestit të Serbisë, Rama kishte vizituar selinë e AAK-së. Procesin ndaj Haradinajt ai e kishte cilësuar të tepërt duke kërkuar lirimin e tij.
Ndërkojë Rama, si lider i Shqipërisë, në intervista, nuk kishte hezituar ta shfaqte mbështetjen për Albin Kurtin, duke thënë se nëse do të kishte marrë pjesë në procesin zgjedhor në Kosovë, ai do t’ia jepje votën Kurtit.
“Albin Kurti është votuar aq shumë, por unë di që po të kisha marrë pjesë në atë votim do ta kisha votuar Albin Kurtin”, ka thënë Rama.
Ai ka thënë për kurtin se është shqiptar që i pëlqen shumë.
“Albin Kurti është një shqiptar i kulturuar, është një shqiptar i denjë…”, pati thënë Rama në intervistën ku ishte i pranishëm edhe Kurti.
Por, para disa javësh, Rama nuk kishte hezituar të shfaqej edhe afër kandidatit të PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinajt, me të cilin kishin pirë kafe në Dhërmi.
Haradinaj dhe Rama kishin diskutuar rreth krijimit të institucioneve dhe për situatën politike në Kosovë, shkruan gazeta Express. /b.d