Një natë para seancës konstituive Gazeta Express mëson se po mbahet një takim mes liderëve të partive të PAN’it, Ramush Haradinaj e Kadri Veselin me kreun e AKR’së, Behgjet Pacollin. Në këtë takim mund të vendoset fati i seancës së nesërme, por edhe formimi i tërësishëm i Qeverisë.
Partneri parazgjedhor i Pacollit, Isa Mustafa, pak orë më parë bëri të ditur se është takuar me kreun e AKR’së, me të cilin kanë betonuar aleancën mes tyre. Por, burimet e Gazetës Express, tregojnë se Pacolli takim po zhvillon edhe me kampin tjetër, me të cilën herë shfaqën afërsi e herë u tha se nuk do të bëhen bashkë.
Gjatë ditës disa prej anëtarëve të kryesisë së AKR’së thanë se kjo parti nuk do të perkah kandidatin e PAN’it për kryetar të Kuvendit. Megjithatë bazuar në takimin që po zhvillohet, bëhet e ditur se kreu i AKR’së nuk është i distancuar nga PAN. Përkundrazi, nëse arrihet një marrëveshje, ata edhe mund të vazhdojnë se bashku rrugëtimin e tyre politik.
Në takimin e kësaj mbrëmje thuhet se temë e diskutimit është kalimi i Demarkacionit, Asociacionit, për të cilat Pacolli ka disa kushte. Ndryshe, kreu i AKR’së në Kuvendin e fundit që ka mbajtur kjo parti, ka marrë dritën e gjelbër që të marrë vendime, të cilat do të zhbllokonin gjendjen politike. Qeveria gjithëpërfshirëse ishte kërkesa që Pacolli u bëri liderëve partiakë që pas përfundimit të zgjedhjeve. Nesër pritet të mbahet seanca konstituive e koalicioni PAN kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre pas disa mungesave për shkak të të cilave akoma nuk është zgjedhur kreu i Kuvendit /Express/ma.me