“Jam gati të mbyll dhe qeverinë nëse do të ishte e nevojshme për ndërtimin e murit me Meksikën”.
Kaq i vendosur është Donald Trump për të çuar deri në fund njërin prej premtimeve kyçe të fushatës së tij elektorale, sa në mitingun e mbajtur në Finiks me temën “Ta bëjmë Amerikën madhështore përsëri”, u tregoi mbështetësve se deri ku është i gatshëm të shkojë për të zbatuar zotimin e vet të hershëm.
Para tubimit politik në kryeqytetin e Arizonës, Presidenti kishte vizituar një bazë të marinsave në Juma, në kufirin me Meksikën dhe një qendër operacionale të Patrullës Kufitare amerikane në zonë. Mesazhi i përcjellë ishte ai i nevojës për një kufi të fortë dhe një zbatim më të rreptë të ligjit.
Gjatë fjalimit 80-minutësh, shefi i Shtëpisë së Bardhë sulmoi përsëri mediat, duke i barazuar gazetarët me tradhtarët dhe duke duke i quajtur ata “njerëz të keqij që nuk e pëlqejnë vendin tonë”, ndërsa mbrojti komentet e tij për Sharlostvillin, të cilat shkaktuan debate të mëdha. Republikani fajësoi atëherë të dyja palët për dhunën, por në Finiks të martën e akuzoi shtypin se nuk i raporton të plota deklaratat e tij.
“A i përmendi media fjalët e mia se racizmi është i keq? Jo, ato fjalë nuk i thonë. Shtypi mund të më sulmojë mua, por unë i heq vizën aty ku nisin t’ju sulmojnë ju, sepse këtë bëjnë ata. Sulmojnë mirësjelljen e mbështetësve tanë”, tha Trump.
Në rrugët përpara qendrës së konventave të Finiksit nuk vonoi shumë dhe shpërtheu dhuna pasi tubuesit kundër Presidentit u përleshën me policinë.
Prania e Trump në shtetin perëndimor të Arizonës, ku mundi demokraten Hillary Clinton me 3.5% më shumë në presidencialet e vitit të kaluar, tërhoqi dhjetra-mijëra mbështetës dhe protestues. /b.d