Nga Anri Bala
Ju betohem më zë frika të hap një gazet print apo online! Lere pastaj të guxoj të hap televizorin: O nëne… o nëne! Shoh njerëz, që mua në fakt nuk më duken aspak si të tillë, sepse janë aq amorf, sa nuk mund t’i përcaktoj se çfarë qeniesh janë. Ulërasin dhe bërtasin me gishta në vesh… por mos u habisni pse: Për të “zezat” që i kanë gjetur!
Janë aq të pështirë dhe të poshtër, sa që mua më duket sikur po lexoj, se si ndryshojnë të sjellurit çdo ditë… të marrët e spitalit psikiatrik.
Defekti im është, sepse i shoh dhe i kam par çdo ditë me veshje të ndryshme, shpata të ndryshme, parzmore të ndryshme. Ah, se desh harrova, i njoh dhe i kam parë edhe brekëgrisur, edhe surratpisur, edhe barktharë dhe lypsarë.
Mirëpo, tani janë tejet të revoltuar dhe të mllefosur, vetëm sepse u bënë milioner dhe pasunar, kur ata as që e kishin menduar. Janë të revoltuar dhe tërbuar, me ata që krejt papritur i’u ofruan një vend për të punuar dhe shërbyer në kuplaranë e politikës dhe po ashtu i’u a morën, papritur e pabesisht, në momentet kur ishin të bindur, se “kuplaraja” ishte e tyre.
Ta dini, bënë “çdo gjë” për të mos e marrë atë vend, por fati i kishte përzgjedhur, sepse e kishin të shkruar në ballë “bythpërdredhur”! Kur të godet e të pret fati i “keq”, nuk ke çfarë t’i bësh, të ka rënë për hise ta vuash fatin tënd.
U lodhën duke “punuar”, duke “prodhuar”, sa xhepat dhe kuletat i bënë copë me para të pastra gjaku dhe krimi, e tani me të drejtë bërtasin kundër vendit, që i’ua bëri këtë “të zezë”… Shqipërisë.
Me thënë të vërtetën, kanë pak të drejtë, sepse nuk ka vend në botë, që njëherë i kalon ditët si bretkosë në moçal, e të nesërmen zgjohesh “mbret”, me saraje, vila dhe pallate, ku 11 banjo të vështrojnë me derë hapur, se cilën prej tyre do të respektosh.
Megjithëse prapë harron i “varfri” njeri dhe nga forca e zakonit, del sërish jashtë për të mbaruar “punë” në ndonjë ferrë, bunker, apo kanal, sepse ashtu është mësuar, por kur kujtohet shan e mallkon veten, se përse nuk beson se kush është bërë?!
Ndaj i gjithë soji i juaj, le të ulërasë dhe vajtoi përpara kafshëve, shpendëve, ushtarëve, mercenarëve dhe lypsarëve, që zgërdhihen sa herë flisni, nga halli për të marrë ndonjë copë nga malli i tyre, që me drejtësi i’a keni marrë ju.
Edhe unë jam i bindur “sinqerisht”, se keni të drejtë të mallkoni këtë vend të “poshtër”, sepse i’u bëri milionerë! Por, mendoj se ju nuk jetoni dot këtu, sepse frikësoheni, jo pse u bëtë milioner, por se mos ju pyesin, se si u bëtë brenda natës?! Kjo i’u frikëson, sepse ju nuk mund të përgjigjeni, jo se nuk doni, por sepse nuk e dini.
Për të mos u vënë në pozitë të vështirë me të shushaturit që ëndërrojnë të bëhen si ju, pa punuar dhe pa u shkolluar, princër e sheik, vetëm duke bërë diçka, që as emrin nuk dinë t’ia shqiptojnë… “pulitik”, ju nuk i’a u tregoni sekretin, por vetëm i këshilloni: Ikni, sepse këtu nuk jetohet!
Këshillë e mirë, këshillë e nxirë, këshillë e ndyrë. Po mirë o këshilltar që ju është nxirë jeta e po “vdisni” nga milionat, po ju pse nuk ikni, apo doni të vuani fatin e “zi” dhe ju vjen keq për ata që i’u dëgjojnë, që mos të kenë fatin e “keq”, të bëhen si ju… milioner?!
Mu kujtua personazhi i Cekes, “doktori mashtrues” dhe qesh me veten, se receta juaj është e njëjtë me recetat e tij. Tani për t’i bindur njerëzit, u ka ngelur vetëm të ndaloni dhimbjen e barkut (frikën) me fener, ashtu si roja i shinave sinjalizonte dikur trenat, që të vazhdonin apo ndalonin.
E barku ju ka zënë keq, sepse jeni trashur dhe majmur në këtë vend. A thua do i’u ikin dhimbjet mbas shtatorit, nëse filloni të “villni” ato që keni ngrënë pa paguar dhe pa hesap?!
Nëse nuk i’u ikin dhimbjet duke ju shtrënguar për t’u zbrazur, atëherë keni të drejtë, në këtë vend nuk jetohet… sepse të bënë mbret vetëm se vret, e mbretëron sa të duash se të gjithë janë të vrarë dhe i vrari nuk flet!