Kasaforta e një hoteli, brenda së cilës ndodheshin ora e bizhuteri floriri me një vlere prej afro 100 mijë eurosh, u grabit mbrëmjen e së martës nga dy persona të akomoduar si klientë.
Dy autorët e vjedhjes në hotel, Eduart Ngota dhe Zenel Dama, ishin përgatitur për realizimin e “objektivit” të tyre, duke marrë një makinë me qira, që do t’u shërbente për transportimin e kasafortës.
Sipas Policisë, ata kishin marrë një automjet tip “Fiat Punto”, me të cilin kishin shkuar në hotel mesditën e 15 gushtit.
Pasi janë regjistruar për një natë aty, pas disa orësh ata kanë futur në një çantë të madhe kasafortën dhe e kanë nxjerrë nga hoteli duke e futur në makinën e marrë me qira.
Më pas e kanë transportuar në banesën e tyre ku e kanë hapur, duke nxjerrë orët, bizhuteritë dhe paratë që ndodheshin brenda. E kanë futur sërish në çantë, duke e transportuar në hotel dhe e kanë lënë në të njëjtin vend ku ishte, në mënyrë që të mos binin në sy.
Megjithatë, mëngjesin e së nesërmes një prej punonjësve të hotelit ka konstatuar hapjen e saj dhe pasi ka parë që ishte e boshatisur, ka lajmëruar administratorin për vjedhjen.
Policia tha se nga gjurmimi i automjetit të përdorur nga autorët, është arritur të zbulohej banesa ku ndodheshin sendet e vjedhura.