Shkon në 14 numri i viktimave të sulmit terrorist në Barcelonë. Njëri prej të plagosurve ka ndërruar jetë, ndërkohë që bilanci i viktimave pritet të shtohet.
Spanja ka shpallur tre ditë zie kombëtare. Në nder të viktimave u mbajt një minutë heshjte, ndërkohë që policia ka arrestuar tre persona.
Qyteti i famshëm spanjoll është tronditur pasditen e djeshme, pasi një furgon ka përplasur turmën në një zonë turistike duke përshkuar 600 metra duke lënë deri tani 14 viktima (numri pritet të rritet) dhe mbi 100 persona të plagosur.
Pas përplasjes së ndodhur në sheshin ikonë “Las Ramblas” të frekuentuar shumë nga turistët, mbi 11 milionë në vit, zona është rrethuar nga forcat e sigurisë.
Ndërkohë që në Cambrils, në jug të Barcelonës u parandalua një tjetër sulm terrorist në mesnatë, ndërsa policia ka vrarë 5 terroristët të cilët kishin breza shpërthyes.
Terroristët plagosën disa persona para se të ndërhynte policia duke i vrarë. Nga ngjarja e dytë mbetën 7 të plagosur, mes tyre edhe një polic.
Ndërkohë që deri tani për sulmin në Spanjë janë arrestuar tre persona, një prej tyre me origjinë marokene.
“Atentatori” dorëzohet në polici: Më kanë vjedhur identitetin
Ngjarja në Barcelonë ku në një akt terrorist u vranë 14 persona dhe u plagosën mbi 50 të tjerë ka marrë një tjetër rrjedhë pasi personi që policia identifikoi se ishte atentori, është paraqitur në polici dhe ka deklaruar se i kanë vjedhur dokumentet.
Policia vendase identifikoi personin që kishte marrë me qira furgonin “vrasës” në sulmin e Barcelonës si Driss Oukabir, 28 vjeç i lindur në Marsiglia por resident në Spanjë.
Tashmë policia është duke u përpjekur të sqarojë se pse Oukabir nuk e ka denoncuar vjedhjen e dokumenteve dhe dyshimet bien mbi vëllain e vogel të Driss, Moussa banues në Barcelonë.
Ndërkohë në profilin në Facebook të Driss Oukabir shfaqen postime këngësh arabe me sharje dhe ofendime. Mes titujve të këngëve të shpërndara në Facebook-un e tij, është edhe kënga e Noizy-it “AK- 47”./a.ç