Parlamenti maqedonas votoi pas një muaji vonesash prej opozitës, shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvrlevski, një aleat i ish-partisë në pushtet të Nikola Gruevskit.
Nga Sinisa Jakov Marusic
Me 64 vota pro shkarkimit dhe asnjë kundër, parlamenti me 120 deputetë i Maqedonisë, drejtuar nga shumica e Social Demokratëve, shkarkoi kryeprokurorin kontravers, Marko Zvrlevski, një aleat kyç të ish-qeverisë së Gruevskit.
Votimi u zhvillua pasi deputetët e partisë opozitare VMRO DPMNE u larguan nga salla në shenjë proteste.
Shkarkimi i Zvrelvskit u pa si prioritet nga qeveria e re e LSDM-së, me në krye Zoran Zaevin, e cila mori e pushtetin në fund të majit.
Megjithatë, debatet e gjata që mbaheshin nga deputetët e VMRO DPMNE dhe kërkesat e tyre të shpeshta për ndërprerje, penguan punën e parlamentit dhe zvarritën çështjen.
Të mërkurën në mbrëmje deputetët e VMRO DPMNE thanë se do të ndalonin zvarritjen dhe thanë se sipas tyre shkarkimi i Zvrlevskit ishte i paligjshëm.
Ata i ndaluan vonesat pas Komisionit Shtetëror Kundër Korrupsionit, një organ parlamentar i caktuar gjatë epokës së VMRO DPMNE, lëshoi një mendim në favor të tyre, duke e konsideruar shkarkimin të paligjshëm për shkak të përgatitjeve për zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor.
Megjithatë, organi nuk e kishte për detyrë të hetonte çështjen ndaj i vendimi i tij nuk ka ndikim mbi punën e parlamentit.
Gjatë mandatit të tij në detyrë, Zvrlevski u akuzua se ishte i afërt me ish-kryeministrin dhe udhëheqësin e VMRO DPMNE Nikola Gruevski dhe se mbante anë ndaj shumë skandaleve të korrupsionit që rrezikuan largimin e Gruevskit nga pushteti.
Procedura për të emëruar pasardhësin e Zvrlevskit pritet të zgjasë së paku një muaj. Në mënyrë jozyrtare ka filluar gara për këtë post. Emrat e disa avokatëve dhe profesorëve të shquar universiteti po shpërndahen si kandidatë të mundshëm.
Për shkak të bllokadës së gjatë të seancës për heqjen e Zvrlevskit, ligje të tjera të rëndësishme të ndërmarra nga qeveria e re e Maqedonisë kanë mbetur gjithashtu pa kaluar.
Midis tyre është edhe ligji për të rritur pagën minimale nga 150 në 200 euro në muaj, si dhe një projekt-ligj që rrit ndihmën sociale për punëtorët në kompanitë shtetërore të falimentuara. /b.d