Nga Isuf Kalo*
Them i ynë sepse jam i sigurt që ndjenjat dhe vlerësimet që po shpreh janë jo vetëm të mijat por edhe të qindra kolegëve të tjerë mjekë, ish-studentë dhe tani kolegë të tij anë e mbanë Shqipërisë. Me të njëjtën bindje them se po të listojmë ish-mësuesit tanë të nderuar të fakultetit të mjekësisë për nga simpatia elekuenca, erudicioni origjinaliteti dhe mbresëlënja, Profesor Ylli Popa pa dyshim do ishte Ylli i rrallë mes tyre.
***
Ylli Popa erdhi si një fllad i freskët në mësimdhënien dhe në qasjen profesionale të mjekësisë tonë. Aftësia profesionale, pasuria kulturore ajo intelektuale dhe leksionet plot sharm mbajtën breza të tërë studentësh mjek të ardhshëm në auditor apo dhe tek shtrati i të sëmurëve të mbërthyer, të magjepsur pas tij. Sekreti ishte se ai na njohu përveçse me enigmat dhe sfidat prozaike teknokratike e burokratike të mjekësisë edhe me bukuritë e fshehta brenda saj. Na njohu me mjekësinë si art dhe si mision human. Profesor Ylli na mësoi të paditurat e të pathënat e profesionit tonë me shkenca të tjera, me filozofinë, letërsinë dhe sidomos me relacionet me njerëzit dhe pacientët. Ai na mësoi se nuk do bëheshim dot të plotë si mjekë pa u bërë më parë të plotë si njerëz. Të plotë në kuptimin e vlerave, moralit parimeve. Jo me aparenca, ngulmonte ai.
***
Sot që Profesor Ylli Popa na la të pikëlluar shprehja e njohur “Parfumet e shtrenjta në shishe të vogla” mu duk sikur ishte thënë enkas për të. Sepse Ylli ishte disi i vogël në shtat ndërkohë që ishte i madh e shumë i çmuar në mendje dhe shpirt. Të shkurtër shtatin ja patën bërë genet, kurse naltësinë në vlera, në dije dhe ndenja ai e pat krijuar dhe arritur vetë. Falë kjo pasionit e kuriozitetit përvëlues thuajse fëminor të tij për natyrën, për jetën dhe të renë, falë dashurisë për njerëzit dhe sidomos leximit të librave mjekësor, letrar, poetik, historik, filozofik, futurologjik, shkencor dhe enciklopedik. Ylli Popa “I vogël” u bë vetë një “enciklopedi” e madhe. Atë falë miqësisë e zemërgjerësisë së tij, ne patëm fatin të shfletojmë ta admirojmë dhe aq sa mundëm ta memorizojmë.
***
Ylli Popa erdhi në mjekësinë tonë kur ajo ishte modeluar sipas mjekësisë sovjetike por me arsenal njerëzor dhe teknologjik shumë më të varfër se ajo dhe se kudo. Një numër i madh praktikash mjekësore qenë gjysmë empirike, bazuar në shqisa dhe intuita, ndërkohë që kontakti me arritjet dhe literaturën e të rejave mjekësore perëndimore qe i pamundur.
Për fat të mirë ai ishte nga mjekët tanë të parë të pas çlirimit që përvetësoi veç të tjerave gjuhën angleze. Ai me të ishte një hap përpara dhe një pëllëmbë më lart se kolegët e tjerë. Në bibliotekën shumë të pasur në shtëpinë tij, një numër i madh ishin në këtë gjuhë, i ndihmuar prej tyre por në radhë të parë prej pasionit dhe shpirtit novator ai guxoi të sfidonte rutinën që gjeti në mjekësinë tonë të atëhershme.
Janë të paktën tre shtylla të reja që ai ngriti në shërbim të modernizimit të mjekësisë tonë.
E para që kuptimi i ri që ai solli lidhur me rolin e biokimisë në gjenezën dhe ecurinë e sëmundjeve. Deri atëherë natyra e sëmundjeve tek ne studiohej në mënyrë sipërfaqësore sempliste bazuar kryesisht në simptomat klinike, te inspektonit, prekjes dhe dëgjimit pa njohur e pa u thelluar në brendësi procese biokimike dhe enzimatike që shpesh ishin në gjenezën dhe ecurinë e tyre. Në krye të katedrës se biokimisë Ylli Popa e “Biokimizoi” mjekësinë tonë. E ridimensionoi atë si një disiplinë të rëndësishme brenda saj. Ai hapi një faqe të re për rolin e kësaj fushe në patologjinë humane dhe metodat e kurimit. Lënda dhe ekzaminimet biokimike nga e panjohur apo e harruar u bë tërheqëse dhe e lakmuar. Proceset biokimike sqaruan shumë enigma dhe mekanizma të panjohura në krijimin dhe evolucionin e sëmundjeve.
Sfida e dytë e tij do të ishte kardiologjia. Specialiteti që merret me sëmundjet e zemrës. Ajo ekzistonte si shërbim dhe si klinikë me ato mundësi që i lejonte koha duke patur në krye Profesor Nikolla Shurbanin, ish partizan, një nga mjekët më të ndershëm dhe më të devotshëm të vendit tonë. Por nevoja për reformimin dhe modernizimin e saj u shfaq shpejt dhe e gjeti atë pa burime të mjaftueshme njerëzore dhe pa pajisjet e domosdoshme. Infarkti i Miokardit ishte fillimisht mjaft i rrallë, vdekjet për shkaqe kardiovaskulare nuk përbënin prioritet. Situata ndryshoi krejtësisht kur sëmundjet e enëve të zemrës u shndërruan gati në epidemi. Ylli Popa ndjeu se kardiologjisë tonë i duhej vizioni, pasioni dhe novatorizmi i tij. Ai u zhvendos nga laboratorët biokimikë për tu përfshirë direkt në betejat klinike tek pavijonet ku vuanin dhe vdisnin të sëmurët nga zemra. Qofshin këta punëtor, fshatar, intelektual apo qeveritar.
Në krye të këtij shërbimi dhe specialiteti Profesor Ylli Popa brenda një kohe relativisht të shkurtër edukoi dhe krijoi një ekip entuziast me mjek të ri të talentuar të gjithë të apasionuar pas sfidës modernizuese. Si gjeneral i një beteje të vështirë me shume fronte ai ngarkoi në secilin front një komandant të zotin. Kështu u krijua reparti i reanimacionit që pakësoi shumë vdekshmërinë, reparti i ri i hemodinamikës që solli një informacion të hollësishëm të munguar për mënyrën e qarkullimit të gjakut në zemër , ai i ritmologjisë për ritmin e saj, ai i imazherisë kardiake, reparti i provave diagnostike dhe natyrisht edhe ai i kardiologjisë klinike etj.. Çelësi i progresit ishin kualifikimi intensiv i stafit dhe revolucioni teknologjik. Ky progres i shpejtë impresionues në kardiologji lehtësoi shumë edhe veprimtarinë e kardiokirurgjisë. Të dy këto shërbime thuajse u unifikuan si plotësuese të njëra-tjetrës. Ato funksionojnë të kompjuterizuara tashmë, në nivel dhe mënyrë bashkëkohore.
Shtylla e tretë që vendosi Ylli Popa me veprimtarinë dhe shembullin e tij në mjekësinë tonë ishte ajo e angazhimit intensiv e social. Angazhim ky pa bluzë të bardhë përtej mureve të spitalit, për të krijuar ura lidhëse me sektorë të tjerë jetikë në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ajo kishte të bënte me konceptin modern të tij që mjekësia nuk do mund t’i arrijë objektivat e synuara vetëm me metoda teknokratike me punë të mbyllur në guackën profesionale të saj pa u hapur dhe bashkëvepruar me sferat e mekanizmat shtetërore ato ligjvënëse, ato financuese dhe ato shoqërore. Sipas tij ajo duhej parë edhe si shkencë sociale, ekonomike, psikologjike dhe komunikative .Ylli këtë angazhim nuk e pati spontan, por të qëllimshëm si faktor i fuqishëm sinergjist për objektivat e sektorit që drejtonte.
Ylli Popa u bë veprimtar i shquar shoqëror, deputet i kuvendit Popullor, promovues i shoqërisë së lirë, kryetar i shoqatave i Komitetit të Helsinkit për të drejtat qytetare, promovues dhe mbështetës i besimeve fetare, shprehës në shtypin publik, i vizioneve, opinioneve dhe shqetësimeve të sinqerta të tij për të tashmen dhe të ardhmen e vendit. Sipas tij mjeku besnikërinë duhet ta ketë ndaj vetes por ta ruajë sinqeritetin ndaj të tjerëve. Ai u zgjodh për dhjete vjet me radhë kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ku mbështeti pa dallim shkencat e tjera, po aq sa mjekësinë. Ylli Popa qe patriot dhe kozmopolit. Kryetar për gjashtë vite i shoqatës mjekësore ballkanike ai dëshmoi se ato që na bashkojnë në rajon, janë më të forta e më të vyera se sa ato që na ndajnë. Si personalitet dhe intelektual me vizione të tilla ai do t’i duhej sot më tepër se kurdoherë vendit dhe rajonit.
***
Profesori, kolegu dhe miku im Ylli Popa u nda se fundi prej nesh. Sëmundjet që luftoi gjithë jetën u hakmorën herë heshturazi, herë egërsisht ndaj tij. Së pari ato sulmuan sytë. I penguan pamjen qq ta pengonin të lexonte. Dënim më të rëndë se ky nuk mund të kishte për të. Pastaj i penguan dëgjimin. Që të mos dëgjonte muzikën e adhuruar klasike. Më vonë i dobësuan gjunjët e të mos u qëndronte përballë në këmbë. Po ai pati mike të paepur zemrën. Ajo nuk e tradhtoi. Nuk i pushoi të rrahurat. Ndoshta sepse besonte te ndonjë mrekulli e re e tij në shërbim të saj. Por e stërlodhur më së fundi u dha, u ndal edhe ajo. Ai mbylli sytë përgjithnjë, butësisht, heshturazi në shtëpi pa dhimbje i rrethuar plot dashuri nga familjaret e tij. Me një vdekje si e uruar, si bekim .
***
Profesorin tonë të dashur e të çmuar e varrosëm në pasdite në një lëndinë të Sharrës, buzë një kodre të blertë. E përcollën kolegë, ish-studentë, akademikë, ish-pacientë, miq e dashamirës të shumtë. Pa bujë, me shumë ngrohtësi. Si ajri i asaj dite. Për pak çaste dielli sipër nesh u fsheh pas një reje të vogël. Mbase nuk donte të shihte. Kurse nje aeroplan ndoshta i linjës kaloi atë kohë në qiell sipër kortezhit (ndoshta rastësisht ) u duk sikur ai pa varrin poshtë ende të pambuluar dhe mori me vete diçka prej tij. Diçka të padukshme. Dhe iku u zhduk fluturimthi diku larg qiellit …Çfarë të ketë qenë ajo vallë?
*President i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencës