Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e ka cilësuar një hap të madh barazimin 1-1 në fushën e Dinamos së Zagrebit, pavarësisht mënyrës se si rrodhën ngjarjet në ndeshjen e parë të play-offit në Ligën e Evropës.Pas takimit, trajneri i Skënderbeut, nuk ka ngurruar të paralajmërojë rivalët se në takimin e kthimit në Elbasan, do të kenë përballë një ekip edhe më të fortë, të mbështetur nga një tifozeri e zjarrtë.
“Mund të them se ne morëm çfarë deshëm, ky është një rezultat shumë i mirë për ne. Kemi luajtur një pjesë të parë të madhe, nuk e kam parë ende videon por kam marrë shumë mesazhe që na është anuluar me të padrejtë një nga golat në ndeshje.
Nuk i dhamë shumë kohë dhe hapësirë Dinamos dhe u paralizuam nga faullet. Ky është një rezultat i madh për ne, do të shihni një Skënderbe tjetër në ndeshjen e kthimit, në Elbasan presim mbështetje të madhe nga tifozeria jonë”, thotë Daja për faqen zyrtare të klubit, transmeton Panorama sport.
Skënderbeu pësoi gol në minutën e fundit të lojës shtesë dhe për këtë Daja thotë se, “ne u tërhoqëm në fund, nuk arritëm të kontrollonim më topin, por nuk mendoj se ishim të lodhur, edhe pse nuk ishim ashtu siç duhej”.Ai thotë se për kualifikimin gjithçka është ende e hapur.
“Dinamo ka një skuadër të madhe, ne mund ta fitonim, por edhe ky 1-1 është një rezultat i mirë për ne. Kush është i favorizuar? Është ende e hapur, do të jetë një ndeshje interesante dhe nëse kthehemi pas te ajo që bëmë sot, është një hap i madh për ne në Ligën e Europës”, shprehet Daja. (b.an)