Afro 50 persona janë helmuar nga ushqimi që kanë konsumuar në një lokal dasme në qytetin e Shajakut.
Personat e helmuar kanë shfaqur probleme shëndetësore duke nisur nga pasditja e së hënës, ndërkohë që në repartin infektiv të spitalit rajonal Durrës gjenden të shtruar akoma 12 persona. Pacientët shprehen se kanë qenë në dasmë dhe ushqimi iu është dukur i mirë, por shumë shpejt nisën problemet.
“Ishim në dasmë, erdhëm këtu dhe petë. Nuk kuptuam asgjë, darka për mrekulli, pastërtia e lokalit në maksimum vetëm ditën tjerët na dha shqetësim. Kam tre ditën në spital, ndihem më mirë”, “Jemi më mirë tani, shkuam në dasmë, hëngrëm në dasmë, u kënaqëm atje, ditën e tjetër pastaj, sonte u sëmurëm”, “Nuk e dimë çfarë ndodhi, jam me temperaturë akoma, nuk e dimë nëse ka qenë nga ushqimi”,shprehet pacientët.
Shefja e repartit infektiv Nadire Jani shprehet se pacientët janë shfaqur me diarre dhe temperaturë të lartë dhe aktualisht situata e tyre është më e mirë.
“Pacienti i parë që ka ardhur është paraqitur duke u gdhirë dita e martë. Ka qenë me shqetësime gastrointestinale, pra bark, të vjella, temperaturë të lartë dhe mbasi ka marrë ndihmën e parë në repartin e urgjencës është paraqitur në spital pasi gjendja nuk është përmirësuar.
Këtu është pranuar si intoksikacionolimentar pasi gjatë historisë së marrjes së sëmundjes, pacienti e referonte vetë se mbas ushqimit në një dasmë ka pasur këto shqetësimet. Në këtë situatë është lajmëruar Drejtoria e Higjienës, pasi kështu bëhet denoncimi për sëmundje që mendohet se janë me çrregullime të alimentacionit dhe që mund të jenë të rrezikshme për pjesën tjetër të popullsisë.
Pas dy orësh ka ardhur një çift të cilët kishin qenë në këtë dasmë. Erdhën punonjës të Drejtorisë së Higjienës, morën të dhëna, kanë shkuar edhe në burim, aty ku ka qenë dasmë, kuzhinieri thotë që nuk ka më mostra të ushqimit. Po atë ditë kanë , po të martën pasdite kanë ardhur edhe 9 të tjerë, deri në 12 të natës kemi pasur prurje. Të gjithë kanë qenë me të njëjtat shenja”, shprehet Nadire Jani, shefe e repartit infektiv në spitalin e Durrësit.
Në lidhje me rastin në fjalë drejtoria e shëndetit publik ka nisur inspektimin e lokalit ku është zhvilluar dasma.
Autoritetet shëndetësore kanë kërkuar mostra të ushqimit që kanë konsumuar dasmorët, por nga lokali iu është thënë se nuk kanë më asnjë të tillë.
Tashmë pritet përfundimit I analizave toksikologjike për të parë se kush e ka shkaktuar helmimin e ushqimit. Nëse do të vërtetëtohet se helmimi është shkaktuar nga ushqimi, pritet që të merren masa administrative ndëshkuese ndaj pronarit të lokalit.
Një ditë më parë për këtë çështje ka nisur hetimet edhe policia, e cila ka marrë në pyetje pacientët e paraqitur në spital.
/a.m.