Nga Mero Baze
Nëse Lulzim Basha ja doli të eleminonte gjithë kundërshtarët brenda partisë dhe të humbiste thellë më 25 qershor, një nga faktorët kryesorë, janë padiskutim ata që quhen aleatë. Fatmir Mediu, Dashamir Shehi, Agron Duka, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule, ishin argumenti i vetëm që Basha kishte në teatrin e çadrës, pasi i krijonin atij formalitetin e “koalicionit” dhe e përdorën këtë akt, jo vetëm për të hyrë në listat e sigurta të Partisë Demokratike (përveç Dukës), por dhe për të shërbyer si kamzhik mbi kundërshtarët e Bashës në Partinë Demokratike.
Fillimisht ata u përdorën nga Basha në momentin e parë të mosbesimit të thellë që ngjallte çadra në Bulevard, kur Basha deklaroi se nuk do të hynte në zgjedhje. Të pestë aleatët shkuan në KQZ, tërhoqën regjistrimin formal për të bërë të besueshme gënjeshtrën e Bashës. Ata u bënë ndërkohë truproja të retorikës së tij dhe ishin kundër çdo zëri kritik që kërkonte përgjegjshmëri për hyrjen në zgjedhje, pamvarësisht aksionit të çadrës.
Më pas, në momentin final, kur Basha bëri marrëveshje me Edi Ramën, ata ishin po ashtu mbështetësit e tij të mëdhenj. Ata e konsideruan fitore, futjen e ministrave teknikë në qeveri dhe justifikuan me të, çdo veprim të deriatëhershëm të Bashës.
Për një moment, u duk se Basha zhduku nga sfondi gjithë lidershipin e PD dhe pesë aleatët ngjanin si pesë nënkryetarë të PD-së. Biles Mediu pak më shumë se nënkryetar.
Edhe në këtë rast, ata ishin kamzhiku kundër çdo zëri kritik për marrëveshjen me Ramën, brenda PD-së.
Një javë më pas, ata u shpërblyen për këtë besnikëri, duke u futur të gjithë në lista dhe në vende të sigurta. I vetmi që nuk ia doli dot ishte Agron Duka, por jo për faj të tij, por për shkak se PD u shkatërrua më shumë seç pritej.
Pikërisht në këtë moment, brenda PD-së shpërtheu zemërimi i madh për përbërjen e listave të hartuara nga Lulzim Basha. Pasi mori garanci nga Rama, se po nuk fitoi do ta fuste në qeveri, Basha eleminoi gjithë lidershipin e vjetër të PD-së dhe la brenda PD-së, vetëm ish- partinë e Genc Pollos dhe njerëzit e vet “të rinj”.
Aleatët e Lulzim Bashës u bënë sërish gardianë të tij dhe justifikuan spastrimet, duke dhënë garanci, se lista me ta do ishte fituese. Siç u pa pas pas 25 qershorit, futja e aleatëve në lista rezultoi fatale. Në Vlorë përshembull, PD nuk ka më asnjë deputet të saj, pasi dy të parët janë deputetë jashtë PD-së, që kanë bërë pazar për atë vend, dhe i treti është Vangjel Dule. Arben Ristani ishte i katërti, por nuk fitoi.
Pas humbjes së thellë dhe shkatërruese për Bashën, aleatët ishin ata që mbrojtën sërish Bashën. Ata u bënë sërish gardianë të tij deri më 22 korrik, në farsën që atij ju desh të rikonfirmohej.
Pra, ata kanë shërbyer jo vetëm si grabitës mandatesh të PD-së, por dhe si shkaktarë të deformimeve të forta të demokracisë brenda saj, duke u bërë gardianë të Lulzim Bashes, në shkëmbim të vendit të tyre në Parlament.
Tani, nëse duhet gjykuar dikush për humbjen e thellë të PD-së dhe deformimet brenda saj, pas Lulzim Bashës, janë këta të pestë. Edhe për arsyen e vetme, se të tjerët janë përjashtuar dhe nuk janë më në PD. Këta janë të vetmit që kanë mbetur nga opozita para çadrës, në opozitën parlamentare pas çadrës.
Këto “kritikat” e tyre, apo më keq akoma, “replikat” me ta, janë thjeshtë fillimi i pazarit për gjërat e reja që do t’i marrin PD-së, përderisa kanë peng Lulzim Bashën, i cili sa herë duhet të bëjë ndonjë pisllëk brenda PD-së, ka nevojë për aleatë. Herë këta, herë Edi Ramën.