Ligji i ndryshuar anti-mafia, në bazë të të cilit Byroja Kombëtare e Hetimit dhe Prokuroria e Posaçme do të kërkojnë konfiskimin e pasurive të paluajtshme dhe paratë e pista të korrupsionit, do të ketë efekte prapavepruese.
Përpos përfshirjes në objektin e veprimit të ligjit të veprave penale të korrupsionit dhe rregullave të reja për të identifikuar dhe konfiskuar pasuritë e pajustifikuara me dokumentacion ligjor, ligji i anti-mafia do të veprojë pa kufizime kohore. Ligjit do të veprojë që nga viti 1991 për të gjitha paratë e pista dhe pasuritë e paluajtshme, të krijuara me anë të praktikave korruptive apo aktiviteteve kriminale.
Ky parashikim është përfshirë në ndryshimet që kanë hyrë në fuqi në qershor të këtij viti, me qëllim për të goditur nga themelet kështjellën e korrupsionit në Shqipëri që nga shembja e regjimit komunist.
Efekti prapaveprues i ligjit parashikohet fillimisht në pikën 6 të nenit 3 të ligjit të ndryshuar, duke theksuar se, ligj zbatohet edhe për pasuritë e personave, të vëna përpara hyrjes në fuqi të tij, me kusht që të ekzistojnë indicie të rëndësishme për përfshirjen e tyre në veprimtari kriminale, në kohën e vënies së pasurisë.
Efekti prapaveprues theksohet sërish tek pika 3 e nenit 35 i ligjit, ku flitet për dispozitat kalimtare. “Për pasuritë e vëna para hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe që kanë lidhje me veprat penale të reja që shtohen në nenin 3, pika 1, të tij, zbatohen parashikimet e pikës 6, të nenit 3, të këtij ligji”, thuhet në ligj. Ndërkaq, pika 1 e nenit 3 të ligjit përfshin të gjitha veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv. Konkretisht përfshihen 23 vepra penale të korrupsionit të të gjitha format dhe në të gjitha nivelet.
Veprimet për fshehjen e pasurive të pavlefshme
Të gjitha veprimet noteriale dhe transaksionet bankare për fshehjen e pasurive, nga zyrtarët e dyshuar si të përfshirë në praktika korruptive, do të shpallen të pavlefshme. Në pikën 3 të nenit 3, ligji parashikon prezumimin e regjistrimit të rremë të pasurive dhe veprimtarive ekonomike të personave në emër të personave të afërm, kur ka të dhëna të dobishme, të siguruara në rrugë të ligjshme, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm për paligjshmërinë e origjinës së pasurisë.
Gjithashtu, të dyshuarit si të përfshirë në praktika korruptive dhe aktivitete kriminale kanë barrën për të provuar se veprimtaritë dhe pasuritë e sekuestruara, të zotëruara pjesërisht ose plotësisht prej tyre janë fituar nga burime të ligjshme. Edhe të afërmit e tyre kanë barrën për të provuar që pasuritë, për të cilat kërkohet konfiskimi, zotërohen me titull pronësie vetëm prej tyre, janë përfituar nga burime të ligjshme dhe nuk janë në pronësi të tërthortë të personave të tjerë.
Vendimi i gjykatës për konfiskim
Me kërkesë të prokurorit të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata Speciale do të vendosë sekuestrimin e pasurive të krimit dhe korrupsionit kur ka dyshime të arsyeshme, të bazuara në indicie, për pjesëmarrje të personit në veprimtari kriminale dhe praktika korruptive, kur rezulton se pasuria është kaluar në emër të të afërme si dhe kur pasuritë e kaluar në emër të të afërme janë shpërpjesëtimore me nivelin e të ardhurave apo fitimeve të realizuara nga burime të ligjshme të deklaruara prej tyre. Në çdo rast, personi nën akuzë nuk mund të përligjë pasurinë, duke deklaruar si burim të saj të ardhura ose riinvestime, që rrjedhin nga mospagimi i taksave dhe tatimeve.
Veprat penale për të cilat do të zbatohet ligji Anti-mafia
Neni 164/a i Kodit Penal, korrupsioni aktiv në sektorin privat, dënohet me burgim nga tre muaj deri në tre vjet
Neni 164/b i Kodit Penal, korrupsioni pasiv në sektorin privat, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Neni 183 i Kodit Penal, falsifikimi ose vënia në qarkullim e monedhave të falsifikuara dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
Neni 244 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Neni 244/a i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i nëpunësve të huaj publikë, dënohen me burgim, nga gjashtë muaj gjer në tre vjet.
Neni 245 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë, dënohen me burgim nga një deri në pesë vjet.
Neni 245/1 i Kodit Penal, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.
Neni 248 i Kodit Penal, shpërdorim detyre, dënohet me burgim deri në shtatë vjet.
Neni 256 i Kodit Penal, shpërdorimi i kontributeve të dhëna nga shteti, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
Neni 257 i Kodit Penal, përfitimi i paligjshëm i interesave, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në katër vjet.
Neni 257/a i Kodit Penal, refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.
Neni 258 i Kodit Penal, Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, dënohet me burgim gjer në tre vjet.
Neni 259 i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.
Neni 259/a i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i nëpunësve të huaj publikë, dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.
Neni 260 a i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet.
Neni 312 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i dëshmitarit, i ekspertit ose përkthyesit, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.
Neni 319 i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë, dënohen me burgim nga një vit deri në katër vjet.
Neni 319/a i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.
Neni 319/b, korrupsioni aktiv i arbitrit vendas dhe të huaj, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.
Neni 319/c i Kodit Penal, korrupsioni aktiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja, dënohen me burgim nga një vit gjer në katër vjet.
Neni 319/d i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i gjyqtarit ose i zyrtarit të gjykatave ndërkombëtare, dënohet me burgim nga tre gjer në dhjetë vjet.
Neni 319/dh i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i arbitrit vendas dhe të huaj, dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.
Neni 319/e i Kodit Penal, korrupsioni pasiv i anëtarëve të jurive gjyqësore të huaja, dënohet me burgim nga dy gjer në tetë vjet.
Neni 287, i Kodit Penal, Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet:
a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale;
ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave;
d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale;
dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër; – dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet./Shqiptarja