“Luciferi” pritet të largohet në fundjavë, ndërkohë që temperaturat më të larta këto ditë i regjistroi në qytetin e Elbasanit dhe Shkodrës, me 42.5 gradë Celcius, dhe në Tiranë 39 gradë Celcius, temperatura këto të matura në hije.
“Edhe gjatë ditës së nesërme vendi ynë do të ndikohet nga masa të nxehta afrikane ku temperaturat do të jenë të larta deri në 24 gradë në zonat e ulëta, 39 gradë në bregdet dhe 34 në zonat malore”, thotë Elvi Jahaj, sinpotikan i shërbimit meteorologjik.
Ndonëse termometri ka regjistruar shifra të larta, ato janë ndjerë akoma edhe më shumë duke e cilësuar si vapë mbytëse në këto ditë gushti, ndikuar kjo dhe për shkak se në vendin tonë kanë mbizotëruar shumë vatra zjarri.
“Po në fakt pasi masat ajrore afrikane mbartin me vete grimca pluhuri, shtoji këtu dhe tymin që emëtohet në ajër për shkak të zjarreve në vend, kanë bërë që temperaturat të ndihen dhe më shumë”, thotë Jahaj.
Por fundjava duket se largon “Luciferin” dhe sjell rënie të temperaturave me 6-7 gradë Celcius, dhe reshje shiu në zonat malore.
“Në fundjavë pritet që të kemi masa ajrore të freskëta me 6-7 gradë më poshte temperatura. Intensifikimi i erës dhe reshje shiu afatshkurtra dhe shtrëngata”, përfundon Jahaj. /tch/b.d