Gareth Bale thotë se fokusi i tij i vetëm është duke u përgatitur për sezonin e ri me Real Madridin, ndërkohë që ka thashetheme për një lëvizje të tij drejt Manchester United.
Bale thuhet se mund të shitet nga “Los Blancos” për të sjellë fonde, me të cilat mund të blihet te Monaco Kylian Mbappe, që mund t’u kushtojë kampionëve të Europës 180 milionë €. Anësori i Real Madridit, që ndihmoi në fitoren 2-1 ndaj Manchester United, në finalen e Superkupës së Europës, të martën, ishte subjekt i deklaratës së Jose Mourinho. Trajneri portugez tha se kjo ishte një “lojë e gjatë” në ndjekje të ish-lojtarit të Tottenham. Florentino Perez ka insistuar gjithashtu se do ta mbajë 28-vjeçarin. Duke bërë vetëm 27 paraqitje në sezonin e kaluar, me lëndime e ndërprerje të tjera, Bale tani mund të punojë i qetë e me shpresën e kthimit të tij në planet e Zinedine Zidanes.
“Për mua nuk ka asnjë shpërqendrim. Unë dua vetëm të përqendrohem te Real Madridi, të përgatitem për sezonin e ri dhe të luaj rregullisht” – tha uellsiani. I pyetur nëse Real Madridi ka dëshirë për të qëndruar, ylli uellsian qeshi dhe tha: “Kështu ka qenë përherë, nuk ka nevojë për asgjë ndryshe tani. Gjithçka ka shkuar si zakonisht, si çdo vit. Ka spekulime, që janë të zakonshme çdo vit. Jam i fokusuar në futbollin tim dhe dua të arrij formën maksimale. Jam i lumtur, po luaj futboll, kam fituar trofe. Dua vetëm të përqëndrohem në të qenit i gatshëm për sezonin e ri. Klubi nuk më ka thënë asgjë në lidhje me të ardhmen time, por ne kemi biseduar dhe jemi të lumtur me çdo gjë.” /b.d