Presidenti turk Erdogan ka lëshuar akuza të rënda ndaj shtetit gjerman për përkrahje të grupeve terroriste në një konferencë të mbajtur përpara simpatizantëve të partisë AKP në Rize në afërsi të Detit të Zi.
Ai deklaroi se Gjermania nuk i ishte përgjigjur asnjë prej kërkesave ligjore të bëra në adresë të Kancelares Angela Merkel si dhe nuk ka kthyer asnjë nga të kërkuarit për terrorizëm nga qeveria e Ankarasë.
˝Kur ndodhet një terrorist në Turqi, ata (Gjermania) na kërkojnë ta kthejmë prapa këtë person. Por ata nuk na dërgojnë personat e akuzuar nga shteti ynë, vetëm kërkojnë nga ne tˈu dërgojmë personat e akuzuar për terrorizëm. Vetëm ata kanë sistem drejtësie, por ne nuk kemi një sistem drejtësie në Turqi?˝ deklaroi Erdogan në konferencën e fundit.
Një zyrtar i Berlinit ka deklaruar se kjo çështje është diskutuar shumë herë dhe fakti se këto akuza ripërsëriten i bën ato të pabaza.
Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Turqisë janë tensionuar vitin e fundit.
Shteti mysliman akuzon Berlinin për përkrahje të grupimeve të majta radikale dhe organizatave Kurde.
Para një muaji Prokuroria Turke arrestoi 10 aktivistë të ˝Amnesty International˝ për lidhje me fraksionin politik të drejtuar nga armiku i Erdogan, Fetullah Gülen i cili qëndron prej 18 vitesh në Pensilvani të SHBA-së.
Në kundërpërgjigje ndaj diplomacisë gjermane, Turqia arrestoi një gazetare turko-gjerman dhe ndaloi kalimin e ligjvënësve gjermanë për të vizituar një bazë ajrore në Turqi.
a.ç