Nga Lorenc Vangjeli
Në të njëjtën javë me historinë e vrasësit të prindërve, ndodh historia tërësisht e përkundërt e atij që humbi jetën në tentativë për të shpëtuar jetën e atit të tij. Një depozitë gjigante gazi nisi të rrjedhë papritur. Pronari i lokalit që e kishte vendosur cisternën në bodrumin e pallatit shkon të verifikojë çfarë po ndodhte. Një shpërthim i beftë dhe gjithçka hidhet në erë. Ai humb jetën dhe disa ditë mbas aksidentit, ndërron jetë edhe i biri. Të tjerë të plagosur dhe dëme të shumta materiale mbyllin bilancin e zymtë e tragjik të një aksidenti që mund të shmangej dhe duhej të shmangej. Një çast më shumë që do të duhej t’i rezervohej sigurisë teknike të impiantit, do të kishte kursyer një tragjedi të tillë të rëndë.
Në listën e gjatë të krimeve apo dhe vdekjeve aksidentale, që aty ku ndodhin janë drama njerëzore, ndërsa për lajmet janë statistika, një shumicë dërmuese prej tyre mund të ishin fare lehtësisht të shmangshme. Për shembull pothuaj të gjitha mbytjet aksidentale. Apo dhe vrasjet në det të notarëve me motorët e ujit. Dhe po kështu, edhe vdekjet e dhembshme në aksidentet e pafundme rrugore. Për secilin nga to do të mjaftonte një çast më shumë vëmendje, qoftë nga vetë viktimat, qoftë nga njerëzit që i kanë shkaktuar. Diku pak më shumë sinjalistikë detare, roje plazhi dhe ndalesë e mjeteve ujore në vendet ku noton njerëzia. Diku gjetkë, pak kilometra më ngadalë, një marsh më i ulët në makinë dhe pak alkool më pak tek drejtuesi i mjetit. Dhe mbi të gjitha, një frymëmarrje më shumë në momentin kur arma në dorë bën trim dhe frikacakun, që duke e shkrepur, shkep e qep gjithë jetën e tij dhe të shënjestrës në një mënyrë tjetër.
Me një çast më shumë vëmendjeje edhe tenori Agim Hushi, i larguar tashmë nga Shqipëria, do të kishte një fat tjetër. Teksti që ai postoi në largim kishte nevojë për pak më shumë qetësi në korrigjim që të mos krijonte idenë e gabuar se këngëtari në largim, hidhte gurë e mallkime mbi vendin e tij. Duke shkaktuar tani një rrebesh gurësh që po hedhin mbi të shumë nga ata që pozojnë si patriotë dhe pretendojnë se kurrë nuk u ka shkuar në mend të mëkatojnë duke u larguar nga Shqipëria. Kush rri në Shqipëri nuk është se e do më shumë se të ikurit këtë vend; kush qëndron këtu, nuk qëndron i shtyrë vetëm nga dashuria për Atdhe. Edhe kush ikën, nuk largohet në emër të urrejtjejes dhe as nuk ikën i shtyrë nga urrejtja për këtë vend. Qoftë njëra palë, qoftë tjetra nuk e ka jetën më të gjatë se një çast në krahasim me atë të vendit, i cili ekziston dhe do të ekzistojë pavarësisht nga vapa e gushtit, nga ngjyra në qeverisje, nga përleshjet politike dhe mediatike, nga niveli i investimeve të huaja, nga përqindja e kredive të këqia në banka, nga fatkeqësitë individuale apo nga shpërthimet e zjarreve. Me të ikur dhe të qëndruar, me tragjedi që prekin individë dhe shndërrohen në statistika pa shpirt, ajo çka vazhdon të mungojë është diçka tjetër. Vazhdon të mungojë minuti i qetësisë dhe i frymëmarrjes përpara një veprimi i cili mund të ndryshonte jo vetëm fate individësh, por dhe të të gjithë vendit. Ndonjëherë për mirë, shpesh herë edhe për shumë më keq./JavaNews.al