Akuzat ndërmjet Partisë Demokratike të Kosovës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar edhe gjatë kësaj fundjave. Por, këtë herë, ato janë shkëmbyer ndërmjet zyrtarëve më të ulët të këtyre partive.
Pas akuzave ndaj Vetëvendosjes, të anëtares së kryesisë së PDK’së, Dhurata Hoxhës, në lidhje me qeverisjen e Prishtinës në arsim, ka reaguar Drejtoresha e këtij dikasteri në kryeqytet, Arbërie Nagavci.
Emenjëherë pas reagimit të saj, ka ardhur kundërreagimi nga PDK. Sekretari i PDK’së në Prishtinë, Bujar Cakolli, ka vlerësuar se VV po e keqpërdor rastin e Astrit Deharit. Ai i ka kërkuar Nagavcit të tregojë për, siç ka thënë ai, punësimin e militantëve nëpër shkolla.Nagavci në llogarinë e saj në Facebook, i është përgjigjur Hoxhës duke e konsideruar gënjeshtare dhe shpifëse si një ministre e Drejtësisë,.
Të gjitha këto Drejtoresha e Arsimit në Prishtinë, i drejtoi tek Hoxha, duke iu referuar vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes në burg, Astrit Deharit.
“Dhurata Hoxha, ministria në ikje e drejtësisë sot paska mbajtur një konferencë për media, një konferencë ku paska folur për “kapjen e shkollave të Prishtinës nga militantët e Vetëvendosjes”, ka shkruar Nagavci.
“Dhurata Hoxha, do të ishte shumë e vështirë për mua të shkoj madje ndër mend se një ministre e drejtësisë gënjen e shpif publikisht, por ti tashmë e ke ngrën turpin me bukë, dhe si ish këshilltare e Hashim Thaçit e Kadri Veselit edhe mund të pritet kjo nga ti.
Dhurata Hoxha, dje u bënë nëntë muaj që një i ri i këtij vendi, një student shembullor, një qytetar me angazhim të pashoq për vendin e tij vdiq në duart tua. Dhurata, në kohën sa ti ishe ministre e drejtësisë Astrit Dehari u mor peng dhe u vra nga shteti që keni kapur ti, shefat e tu dhe partia që ti i takon”, thuhet më tej në shkrimin e Nagavcit.
“Dhurata Hoxha, të isha në vendin tënd nuk do të mund të flija natën, nuk do të mund të shiqoja fëmijët e mi, se do më dilte para syve Arsa Dehari, vogëlushja që kurrë nuk do të shof babain e saj, që ja vrat ti dhe shteti që e keni krijuar, e jo të dilja në konferenca për media për të shpifur publikisht”, ka shkruar ajo.
“Dhurata, Arsa do të rritet e do të jetë krenare gjatë gjithë jetës për babain e saj! Po ti Dhurata cfarë do tu thuash fëmijëve të tu një ditë, si do të arsetosh veten tënde për papërgjegjshmërinë tënde, për veprimet, krimet e gënjeshtrat e tua?”, përfundon shkrimi i Nagavcit.
Në reagimin e tij, Cakolli i PDK’së ka shkruar në Facebook se “kjo fshesa e Vetëvendosjes në shkollat e Prishtinës, Arbërie Nagavci, e cila i politizoi skajshëm edhe themelet e tyre, qenka përpjekur të luaj “symbyllur” para fakteve sesi i kanë mbushur shkollat e Prishtinës me militantë”.
“Nuk po u përshtatet tematizimi i allishverisheve politike që kanë bërë dhe ju paska turrur temës së preferuar të Vetëvendosjes: Astrit Dehari! Duke e përdorur fatkeqësinë e tij, drejt së cilës e kanë shtyrë vetë, tash as në varr nuk po e lënë rehat”, ka thënë Cakolli, përgatiti Express. (b.an)