Partia e re “Zgjidhja”, e themeluar nga ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima, i njohur dikur si njeriu më i afërt i kryeministrit Edi Rama, aktualisht kundërshtar i ashpër i tij, akuzon zyrtarët shqiptarë për marrje ryshfeti për çdo shkarkesë ndotëse të anijeve të huaja në detet e Shqipërisë.
“Zgjidhja” madje i bëri thirrje Prokurorisë së Krimeve të Rënda pranë Prokurorisë së Përgjithshme të Shqipërisë që të marrë në përgjegjësi penale drejtuesit e “MSC Poesia” dhe të gjithë zyrtarët e agjencive të shtetit shqiptar që kanë lejuar ngjarjen e datës 3 gusht në Sarandë.Të enjten që sapo lamë pas, një kroçerë gjigante që ka ndaluar në Portin e Sarandës, në largim ka derdhur ujërat e zeza në Detin Jon në afërsi të plazhit të Sarandës.
Banorët dhe pushuesit e Sarandës kanë filmuar momentin kur nga kjo anije gjigante zbrazeshin ujërat e zeza drejt e në det, pa pyetur nëse shumë pranë saj pushonin qytetarët e tjerë që vizitojnë këtë zone. (b.an)