Detyra e parë me të cilën duhet të përballet KLP, Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të jetë përcjellja e Adriatik Lallës. Thuhet përcjellja për kortezi por në fakt lidhet me largimin e njërit prej primatëve të prokurorisë, gjatë mandatit të të cilit nuk ka pasur arritje të mëdha për të mos thënë se puna e prokurorisë ka lënë shumë për të dëshiruar.
Adriatik Llalla e mori këtë detyrë më 3 Dhjetor 2013 dhe më 3 Dhjetor 2017 i mbyllet mandati. Emri i Lallës është ndër më të përfolurit në jetën politike shqiptare, sepse ai është zgjedhur me minimum votash dhe me mbështetjen e PD-së, kurse me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore emërimi i kryeprokurorit kërkon 84 vota në parlament.
Edhe pse në këto ditë gushti, puna nuk ka rendimentin e duhur, sipas burimeve që përmend media e përditshme, ka ritme që do e mundësojnë ngritjen e KLP. Në strukturën e reformës për drejtësi, mbarëvajtja e saj është e lidhur direkt me ngritjen e KLP dhe KLGJ, respektivisht Këshillat e Larta të Prokurorëve dhe të Gjyqtarëve.
Në fakt, edhe nëse do të ndodhë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk do të arrijë të organizohet deri në fund të gushtit kurdo që të krijohet do të merret me zëvendësuesin e Llallës, i cili nuk ka asnjë shans që të vazhdojë në atë detyrë, qoftë edhe me mbështetjen e PD-së. Kryeprokurori Llalla ka qenë preteksi i sherreve të vazhdueshme Pozitë dhe Opozitë. Që në fillimet e punës me Reformën në Drejtësi, një nga kushtet e Partisë Socialiste ishte mënjanimi i Adriatik Llalës, por PD-ja në kushtëzimet e saj, vuri si kusht kryesor vazhdimin e mandatit të tij. Më në fund pas shumë mosmarrëveshjeve, zgjidhja ishte që procesi për largimin dhe emrin e tij do të fillonin vetëm katër muaj pasi atij t’i vinte fundi i mandatit.
Pikërisht, duke iu përmbajtur kësaj klauzole, në ligjin e ri të prokurorisë thuhet se :”Këshilli i Lartë i Prokurorisë, jo më vonë se katër muaj përpara mbarimit të mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, shpall thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Në rast të ndërprerjes së parakohshme të mandatit të prokurorit të përgjithshëm, procedura fillon menjëherë”. Më pak fjalë, kjo datë është tre shtatori dhe KLP-së si detyrë e parë i mbetet që menjëherë të hapë garën për kryeprokurorin e vendit. (b.an/JavaNews)