Kryeministri Rama ka publikuar në detaje pasqyrën zgjedhore dhe raportin e dëgjesave që janë mbajtur përgjatë muajit korrik, duke e nisur bilancin me Qarkun e Kukësit dhe diferencën e shprehur në votë për partitë kryesore në vend, PS, PD e LSI, ku socialistët fituan 7002 vota më shumë krahasuar me vitin 2013.
Përgjatë muajit korrik në 3 bashkitë e Qarkut Kukës janë mbajtur 25 dëgjesa publike, ku drejtuesi politik i qarkut dhe kandidatët në zgjedhjet e qershorit, janë njohur nga afër me shqetësimet kryesore të qytetarëve në kuadër të bashkëqeverisjes me njerëzit e zakonshëm.
Problemet e shtruara gjatë turit të dëgjesave kanë qenë të shumta, por duket se kuksianët kanë kërkuar zgjidhjet e problemeve të tyre të përditshme dhe jo reformimin e sistemit të drejtësisë. Nisur nga shpeshtësia e kërkesave në dëgjesa, duket se problem kryesor për qarkun verior mbetet mungesa e ujit të pijshëm, trajtimi i ujërave të zeza, infrastruktura spitalore dhe qendra shëndetësore duke përmendur këtu spitalin rajonal të Kukësit ku spitali infektiv është në gjendje të mjerueshme, ndërtimi i shkollave dhe rikonstruksioni i atyre ekzistuese, investimi në sistemin e vaditjes në bujqësi.
Si një ndër problematikat të përmendura më shpesh nga vetë qytetarët është administrate e politizuar dhe e paaftë dhe keqadministrimi i pronës publike, në Surroj, Bajram Curri, Tropojë e Vjetër, Kukës, Has, Shtiqen e në njësitë e tjera administrative.
Kuksianët janë të shqetësuar edhe për nivelin e lartë të papunësisë, për mungesën e infrastrukturës rrugore ku rruga Qafë-Prush-Zogaj, Tropojë është ndërtuar nga italianët në vitin 1939, ndërsa kërkojnë investime në rrugët rurale dhe dytësore.
Gjatë takimeve me deputetë e drejtuesen e qarkut, Mimi Kodheli, banorët kanë kërkuar edhe vënien në punë të aeroportit të Kukësit.
Dëgjesat dhe shqetësimet e ngritura nga banorët janë përpunuar nga ekipi I drejtuesit të qarkut të Kukësit për tu integruar më pas në axhendën e politikave publike të qeverisë për ndërtimin e “Kukësit që duam”. Pas periudhës së reflektimit dhe turit dëgjimor në të gjithë vendin, raporti final do të jetë gati në fund të muajit gusht kur do të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS.